Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka zgjedhur sërish Besnik Buzhalën drejtor të Sekretariatit të KQZ-së (SKQZ).
Zgjedhja e tij u bë në mbledhjen e 95-të të KQZ-së për këtë vit, e cila u kryesua nga kryesuesi Kreshnik Radoniqi.
Sipas njoftimit të KQZ-së, procesi i zgjedhjes u zhvillua në përputhje me Rregulloren e Brendshme nr. 11/2024 për Pranimin e Drejtorit të Sekretariatit të KQZ-së.
Pas votimit të fshehtë, Buzhala mori gjashtë vota nga dhjetë anëtarët që morën pjesë në votim, duke u zgjedhur sërish në këtë pozitë.
Në fletëvotim ishin përfshirë katër kandidatë, të cilët kishin kaluar pragun minimal prej 70 për qind të pikëve të përgjithshme të vlerësimit nga Komisioni i Pranimit, i përbërë nga përfaqësues të institucioneve të ndryshme.
Ndërkaq, KQZ ka bërë të ditur se kandidatët që janë të pakënaqur me procesin e rekrutimit kanë të drejtë ankese në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMShCK), pas shpalljes së rezultateve përfundimtare, brenda afatit të përcaktuar me ligjin përkatës.
