Kandidati i LDK-së për deputet, Blerim Kuçi, ka bërë thirrje për pjesëmarrje masive në zgjedhjet e 7 qershorit, duke theksuar se ky është një moment kyç ku secili qytetar vendos për të ardhmen.
Përmes një postimi të plotë në rrjetet sociale, Kuçi ftoi qytetarët të ushtrojnë të drejtën e votës, me arsyetimin se “mos i lini të tjerët të vendosin për shtëpinë tuaj, për familjen tuaj, për Kosovën tuaj.”
Ai shprehu falënderim të përzemërt për të gjithë mbështetësit, aktivistët dhe qytetarët që, sipas tij, po mobilizohen për ndryshim. Kuçi theksoi se “energjia juaj në terren është dëshmia më e pastër se njerëzit e duan kthimin e normalitetit.” Një falënderim të veçantë iu drejtua edhe “bashkimit të së djathtës rreth LDK-së,” duke deklaruar se partia është “më e fortë, më e bashkuar dhe më e qartë se kurrë për rrugën që duhet të ndjekim.”
Në mesazhin e tij, Kuçi bëri edhe një vërejtje politike duke deklaruar se “Kosova dhe shqiptarët gjithmonë kanë ditur të prijnë për së mbari me këmbë të djathtë, dhe jo së majti (SHMAJTAZ).” Sipas tij, “kështu kemi ndërtuar shtet, kështu e zhvillojmë ekonominë, kështu e ruajmë besimin.”
Mesazhi i tij përfundoi me thirrjen direkte: “Të dielën, dilni. Votoni për ndryshim. Votoni për të djathtën që bashkon.”
