Kandidatja për deputete nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Janina Ymeri, ka paralajmëruar padi për shpifje ndaj kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca. Ky vendim vjen pas deklaratave të Konjufcës në emisionin “Debat Plus”, ku ai pretendoi se Ymeri ishte e lidhur me “mafinë energjetike”.
Ymeri ka mohuar kategorikisht të ketë pasur ndonjëherë biznes apo lidhje me kompani që merren me tregtimin e energjisë. Ajo, nga ana tjetër, ka akuzuar drejtues të Lëvizjes Vetëvendosje për përfshirje në atë që ajo e quan “mafi energjetike”.
“Në lidhje me shpifjen e Glauk Konjufcës në ‘Debat Plus’ mbrëmë, dua të theksoj se unë, Janina Ymeri, nuk kam pasur kurrë dhe nuk kam asnjë biznes, ose lidhje me ndonjë biznes që merret me shitjen dhe blerjen e energjisë,” tha Ymeri.
Ajo njoftoi se padia për shpifje do të dorëzohet kundër Konjufcës të hënën.
Ymeri e akuzoi Konjufcën dhe zyrtarë të tjerë të Lëvizjes Vetëvendosje për përfshirje të drejtpërdrejtë me “mafinë energjetike” dhe potencialisht në shpëlarje parash, me të cilat, sipas saj, është financuar Vetëvendosja para dhe gjatë fushatës së vitit 2021. Ajo shtoi: “Unë e kuptoj Glauk Konjufcën që është direkt i përfshirë në kontaktet me mafinë energjetike (shih fotografitë me Martin Berishajn) dhe potencialisht i përfshirë edhe në shpëlarje të parave me të cilat është financuar Vetëvendosja para dhe gjatë fushatës së vitit 2021.”
Sipas Ymerit, përgjegjësia kryesore për këtë çështje bie mbi kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, ndërsa Konjufcën dhe zyrtarë të tjerë i cilësoi si “kukulla” apo “instrumenta” në këtë skemë.
Ymeri theksoi se përballjet ligjore lidhur me çështjet e energjisë kanë nisur prej një viti, duke përmendur një kërkesë për hetime në Prokurorinë Speciale, e cila u pasua nga një padi e KEK-ut kundër saj, padi që, sipas saj, është rrëzuar. Ajo e sheh padinë e re ndaj Konjufcës si vazhdimësi të këtij procesi.
Në fund, Ymeri deklaroi se do të vazhdojë t’i denoncojë, sipas saj, lidhjet e Lëvizjes Vetëvendosje me “mafinë energjetike” dhe të luftojë vetë këtë “mafia”.
