**Xhaka: “Duam të arrijmë diçka të jashtëzakonshme”**
Granit Xhaka do të marrë pjesë në Botërorin e tij të katërt me kombëtaren e Zvicrës.
Futbollisti me prejardhje nga Kosova, në një intervistë për faqen zyrtare të FIFA-s, ka folur për karrierën e tij, ndërsa ka theksuar se këtë vit synojnë të arrijnë diçka të jashtëzakonshme.
“Kam qenë me fat dhe i privilegjuar të luaj krahas disa emrave vërtet të mëdhenj, dhe për një ekip që ka arritur shumë në vitet e fundit. Nuk është e garantuar pjesëmarrja në çdo fazë finale të një gare.
Jemi një ekip krejtësisht i ndryshëm nga ai i vetëm disa viteve më parë. Kemi një brez të ri me shumë elemente të talentuara, por edhe një kombinim të mirë mes rinisë dhe përvojës. Është e rëndësishme për ne të marrim përgjegjësi dhe të shërbejmë si shembull për lojtarët më të rinj.
Një objektiv thelbësor për Zvicrën dhe për ne si ekip, është kualifikimi nga faza e grupeve, dhe përse jo, të arrijmë edhe më shumë, diçka të jashtëzakonshme. Më pëlqen të ëndërroj dhe ëndërroj shumë. Nuk do ta them fjalën që më vjen në mendje tani. Por mund të ëndërrosh, je i lejuar – dhe të bën mirë”, ka deklaruar Xhaka.
Ai po ashtu ka folur për tërheqjen nga futbolli ndërkombëtar, duke thënë se për sa kohë ka shëndetin dhe urinë për të luajtur, nuk do të largohet nga kombëtarja.
“Të jem i sinqertë, nuk mendoj kështu. Për sa kohë që kam ende atë uri, atë vendosmëri dhe, mbi të gjitha, shëndetin tim, dua të vazhdoj të luaj për aq kohë sa të jetë e mundur. Ne duam t’i bëjmë ëndrrat tona realitet – duke arritur diçka të jashtëzakonshme”, përfundoi Granit Xhaka në intervistën për FIFA-n.
Burimi: IndeksOnline
