Mbyllja e Hormuzit po riformëson rrugët tregtare, me transportin e kontejnerëve që tashmë po përdor gjithnjë e më shumë rrugë tokësore për të arritur destinacionet, raportoi agjencia AFP.
Bllokada e kësaj rruge kyçe detare ka detyruar pronarët e anijeve të kërkojnë korridore alternative tokësore për të shpërndarë ushqime dhe mallra të prodhuara me kamionë, pasi nuk mund të arrijnë më në vendet bregdetare të Gjirit përmes detit, sipas burimeve nga sektori i logjistikës dhe transportit detar, shkruan A2CNN, transmeton Klankosova.tv.
Sipas AFP-së, porti saudit Jeddah në Detin e Kuq po shndërrohet në një “nyje” të re rajonale, ku mbërrijnë anije nga gjigantët detarë si MSC, CMA CGM, Maersk dhe COSCO përmes Kanalit të Suezit.
Më pas, ngarkesat transportohen me kamionë përgjatë autostradave në shkretëtirë drejt destinacioneve si Sharjah, Bahren dhe Kuvajt, të cilat nuk janë furnizuar me rrugë detare gjatë dy muajve të fundit.
“Porti i Xhedas nuk është aspak i dimensionuar për të përballuar këto volume importi dhe një situatë mbingarkese portuale po shfaqet”, tha Arthur Barillas de The, bashkëthemelues i kompanisë së logjistikës Ovrsea.
Pronarët e anijeve kanë bërë të ditur gjithashtu se do të përdorin tre porte jashtë Ngushticës së Hormuzit, Soharin në Oman, si dhe portet Khor Fakkan dhe Fujairah në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Ndërkohë, porti i Aqaba në Jordani po shërben si bazë për dërgimin e mallrave drejt Bagdadit dhe Basras në Irak, ndërsa një korridor përmes Turqisë po lejon gjithashtu hyrjen e mallrave në pjesën veriore të Irakut, sipas raportit.
