Raporti britanik ngre alarmin për takimin Smith – Trendafilova: Kërkesa për ‘burgim të përjetshëm’ dhe ‘rrezik nëse lirohen’ të akuzuarit e UÇK-së
Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ka prezantuar sot në një konferencë për media një raport të organizatës britanike “Bar of Human Rights Committee”, lidhur me procesin gjyqësor që zhvillohet në Dhomat e Specializuara të Kosovës kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Ndër shqetësimet e shumta të evidentuara në raportin britanik, Qelaj ka theksuar një takim të ish-kryeprokurorit të Dhomave të Specializuara, Jack Smith, me një kor diplomatik, në të cilin Smith, sipas raportit, ka kërkuar dënim me burgim të përjetshëm për Hashim Thaçin, Rexhep Selimin, Jakup Krasniqin dhe Kadri Veselin.
Qelaj ka përmendur gjithashtu deklaratat e kryetares së Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, sipas të cilave lirimi i mundshëm i të akuzuarve të UÇK-së përbën rrezik.
“Konstatimi nga kryetarja e Gjykatës se nëse lirohen këta persona paraqesin rrezik dhe duhet të mbahen në paraburgim ngre shqetësime serioze jo vetëm për prezumimin e pafajësisë, por edhe për integritetin e procesit dhe lirimin e përkohshëm”, ka thënë Qelaj.
Avokati i Popullit theksoi se këto deklarata përbëjnë shqetësime serioze për prezumimin e pafajësisë, integritetin e procesit dhe për lirimin e përkohshëm të të akuzuarve. Për më tepër, takimi i përmendur, sipas Qelajt, ishte zhvilluar pa njoftuar fare mbrojtjen.
