Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të kancelarit gjerman Friedrich Merz lidhur me Iranin, duke i kërkuar këtij të fundit të fokusohet më shumë në çështjet e brendshme dhe në luftën në Ukrainë.
Në një postim në platformën Truth Social, Trump kritikoi Merz për atë që e cilësoi si mungesë efikasiteti në trajtimin e konfliktit Rusi–Ukrainë. Ai theksoi se kancelari gjerman duhet të përqendrohet në përfundimin e luftës dhe në adresimin e problemeve të brendshme të Gjermanisë, veçanërisht në fushat e emigracionit dhe energjisë.
“Kushtoji më shumë kohë dhënies fund të luftës Rusi/Ukrainë dhe për të rregulluar vendin tënd në rrënim,” shkroi Trump, duke shtuar se Merz duhet të shmangë ndërhyrjet në çështje që lidhen me Iranin, shkruan A2CNN.
Presidenti amerikan gjithashtu deklaroi se përpjekjet për të kufizuar kërcënimin bërthamor iranian janë në interes të sigurisë globale, përfshirë edhe vetë Gjermaninë.
Reagimi i Trump vjen pas deklaratave të Merz, i cili kishte kritikuar SHBA-të në raport me Iranin. Ky zhvillim ndodh gjithashtu në një moment kur administrata amerikane po shqyrton mundësinë e reduktimit të pranisë ushtarake në Gjermani, duke shtuar tensionet në marrëdhëniet mes dy vendeve.
