**Cana: Lojtarët e Kosovës kanë bërë diçka të jashtëzakonshme, një moment historik**
Ish-kapiteni legjendar i Kombëtares shqiptare, Lorik Cana, ka folur për Euronews Albania në prag të ndeshjes mes Kosovës dhe Turqisë, e cila zhvillohet sonte në orën 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri”. Cana shprehu ndjenjat e tij të thella emocionale për këtë sfidë dhe sqaroi qëndrimin e tij në lidhje me faktin se nuk e ka veshur fanellën e përfaqësueses së Kosovës.
Duke folur për ndjenjat që do të shoqërojnë ndeshjen, Cana u shpreh: “Do të kemi të gjithë emocione, pavarësisht nga çfarë troje shqiptare jemi. Por ne që jemi nga Kosova, të lindur dhe rritur atje, mbetet më e veçantë për ne, kjo është e pamohueshme.”
Lidhur me pyetjen nëse ndjente keqardhje që nuk e ka veshur fanellën e Kosovës, ish-futbollisti shpjegoi: “Besoj se secili në një moment jeton një kapitull dhe atë kapitull duhet ta përmbushë në mënyrën më të mirë. Ne kemi përjetuar një kapitull ku kemi shndërruar një ëndërr të shqiptarëve për t’u përfaqësuar me një simbol kombëtar dhe me një fanellë kombëtare, dhe jo vetëm shqiptarët e Kosovës, por edhe ata të Maqedonisë dhe Luginës.”
Cana e cilësoi ndeshjen e sotme si një moment thelbësor për Kosovën. “Sonte shkruhet një kapitull tjetër, ku protagonistë janë djem, disa të rritur në Kosovë pas luftës dhe të tjerë në diasporë. Ata mund të arrijnë një nga gjërat më të rëndësishme për Kosovën; ndoshta pas shpalljes së pavarësisë, kjo është ngjarja më domethënëse për afirmimin e saj ndërkombëtar”, përfundoi ai.
