**BBC: Kosova, nga ëndrra drejt historisë së Kupës së Botës**

Media britanike BBC ka analizuar rrugëtimin e shpresat e ekipit kombëtar të Kosovës në futboll, duke u ndalur te një ndeshje historike kundër Turqisë, e cila konsiderohej vendimtare për kualifikimin në Kupën e Botës që do të zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë.

BBC thekson se vetëm një dekadë më parë, Kosova nuk kishte pasur asnjëherë mundësinë të luante një ndeshje kualifikuese për Kupën e Botës, ndërsa në momentin e shkrimit të artikullit ishte vetëm 90 minuta larg realizimit të kësaj ëndrre historike. “Dhjetë vjet më parë, Kosova nuk kishte luajtur kurrë një ndeshje kualifikuese për Kupën e Botës, tani ata janë 90 minuta larg kualifikimit për finalet e kësaj vere,” citonte BBC.

Artikulli i BBC-së rikujtonte historikun e shtetit të Kosovës, duke përmendur shpalljen e pavarësisë në vitin 2008 dhe anëtarësimin në FIFA dhe UEFA në vitin 2016. Sipas BBC-së, një fitore në ndeshjen vendimtare, bashkë me renditjen e 78-të botërore, do t’i sillte Kosovës kualifikimin në Kupën e Botës me 48 vende.

Mediumi britanik ka theksuar gjithashtu interesimin e madh për ndeshjen, duke raportuar se ajo do të zhvillohej në stadiumin e mbushur plot “Fadil Vokrri” në Prishtinë, megjithëse shumica e tifozëve do ta ndiqnin atë përmes televizionit.

BBC kujtoi se Kosovës iu lejua të luante ndeshjen e saj të parë zyrtare nga FIFA në mars 2014, e cila përfundoi në një barazim 0-0 me Haitin. Ndeshja e dytë zyrtare ndërkombëtare ishte pikërisht kundër Turqisë, e cila atëherë fitoi me rezultatin 6-1. Më 5 shtator 2016, Kosova luajti ndeshjen e saj të parë kualifikuese për Kupën e Botës, duke barazuar 1-1 në Finlandë. Megjithatë, kjo u pasua nga nëntë humbje radhazi, duke e lënë Kosovën të fundit në grup me vetëm tre gola të shënuar në 10 ndeshje.

Megjithatë, media britanike thekson përmirësimin e shpejtë të Kosovës, pas inkuadrimit të disa lojtarëve nga vende evropiane si Gjermania, Zvicra dhe Suedia. Në eliminatoret e Euro 2020, Kosova kishte marrë epërsinë në një ndeshje të luajtur jashtë fushe kundër Anglisë, para se të humbte me rezultatin 5-3. Skuadra përfundoi e treta në grup dhe u eliminua nga Maqedonia e Veriut në gjysmëfinalet e play-off-eve.

Ylli i ekipit të Kosovës dhe golashënuesi rekordmen, Vedat Muriqi, me 32 gola në 67 ndeshje ndërkombëtare, si dhe 18 gola të tjerë për ekipin spanjoll të La Ligës, Mallorca, gjatë sezonit përkatës, ishte në qendër të vëmendjes. Sipas BBC-së, Turqia ishte e interesuar të dinte gjithçka për Muriqin, duke pasur parasysh 17 golat e tij në ligë për Rizesporin turk dhe 15 golat me Fenerbaçen në sezonin pasardhës.