Lajme
**Canaj kritikon: Politika e Jashtme e Kosovës, e përdorur për qëllime të brendshme, jo për integrimin në BE**
Ish-diplomati Blerim Canaj ka shprehur kritika ndaj mënyrës sesi Kosova ka menaxhuar politikën e saj të jashtme dhe procesin e integrimit evropian, duke theksuar se kjo e fundit është shfrytëzuar kryesisht për qëllime të brendshme.
Canaj argumentoi se bota dhe zhvillimet gjeopolitike kanë pësuar ndryshime të thella gjatë katër viteve të fundit. Për këtë arsye, ai thekson nevojën që Kosova të përshtatë qasjet e saj me realitetet e reja ndërkombëtare.
Sipas tij, politika e jashtme është përdorur sidomos për interesat e brendshme, ndërsa ka munguar angazhimi i duhur dhe serioz në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
“Ne duhet ta kemi parasysh që po jetojmë në një botë, në një gjeopolitikë krejt ndryshe nga ajo para katër vjetësh. Mendoj që edhe në këtë kontekst duhet të provojmë që t’i shohim gjërat, pasi kanë ndryshuar edhe interesat e shteteve dhe kanë ndryshuar edhe gjeneratat e strukturave politike në shtetet, madje edhe në shtetet tona mike,” ka deklaruar Canaj.
Ai shtoi se “edhe politikën e jashtme, fatkeqësisht, e kemi përdorur për konsum të brendshëm, por nuk kemi tentuar sinqerisht – po flas për qeverinë – nuk e kemi pasur seriozisht edhe këtë rrugëtimin tonë deri më tani apo së paku gjatë këtyre viteve në drejtim të BE-së.”
Canaj ngriti pyetjen se çfarë është bërë pas aplikimit për anëtarësim, duke theksuar se janë vendosur edhe sanksione nga BE-ja. Kjo, sipas tij, tregon se është neglizhuar një aspekt thelbësor i politikës së jashtme, ai i aktivizimit të diplomacisë.
Ai theksoi se Kosova duhet të jetë më aktive në diplomaci dhe se, përveç aplikimit për anëtarësim në BE, nuk është bërë një angazhim i mjaftueshëm për ta shtyrë përpara këtë proces.
“Duhet të jemi aktivë, pasi nuk kemi pasur ndonjë aktor kompetent që është marrë seriozisht me këtë çështje, përpos që e kanë bërë aplikimin dhe kanë ardhur këtu dhe kanë thënë: ‘Ne aplikuam’,” ka përfunduar Canaj, në prononcimin e tij për Klankosova.tv. Ai vlerësoi se përpjekja kryesisht ka qenë për të shfrytëzuar aplikimin për çështje të brendshme, dhe jo si një aplikim serioz.
