Michael Carricku ka zbuluar se pret që brenda “pak ditësh” të ketë një njoftim zyrtar për trajnerin e ardhshëm të përhershëm të Manchester Unitedit, pas fitores dramatike 3-2 ndaj Nottingham Forestit të dielën.
Trajneri i përkohshëm gjithashtu lavdëroi kapitenin Bruno Fernandes, i cili barazoi rekordin historik të Premierligës për më së shumti asistime në një sezon gjatë ndeshjes në “Old Trafford”.
Sipas “The Independent”, Carricku ka arritur një marrëveshje paraprake për të qëndruar si trajner i përhershëm i Unitedit, megjithëse ai nuk e konfirmoi këtë zyrtarisht të dielën.
Unitedi siguroi fitoren ndaj Forestit dhe mbylli sezonin në vendin e tretë.
Luke Shaw kaloi vendasit në epërsi, para se Morato të barazonte për mysafirët.
Matheus Cunha riktheu avantazhin për Unitedin, ndërsa Bryan Mbeumo shënoi për 3-1.
Goli i vonshëm i Morgan Gibbs-White nuk mjaftoi për Forestin.
Pas ndeshjes, 44-vjeçari iu drejtua tifozëve në “Old Trafford”, duke shprehur shpresën për shumë momente të mëdha në të ardhmen.
Më pas, duke folur për mediat, ai dha një përditësim mbi situatën e trajnerit.
“Në ditët në vijim do të ketë qartësi për situatën. Sot më e rëndësishmja ishte ndeshja dhe rezultati, si dhe disa individë. Çfarëdo lajmi që do të ketë, jam i sigurt se do ta merrni brenda pak ditësh,” tha Carricku.
Ndërkohë, Bruno Fernandes vazhdoi të shkruajë histori duke regjistruar asistimin e tij të 20-të në kampionat, pasi shërbeu Bryan Mbeumon në minutën e 75-të për golin e tretë të Unitedit.
Me këtë, portugezi barazoi rekordin për më së shumti asistime në një sezon të Premierligës, të mbajtur nga Thierry Henry dhe Kevin De Bruyne.
Carricku u shpreh shumë krenar për mënyrën se si kapiteni i tij e përballoi presionin gjatë ndeshjes.
“Mendoj se e menaxhoi jashtëzakonisht mirë,” tha trajneri.
“Kur e shikon nga stoli mendon: ‘Çfarë po i kalon në mendje? Po kërkon pasimin? Po kërkon golin? Po mendon dy herë?’. Besoj se ai e përballoi në mënyrë fantastike. Ishte një moment shumë i bukur për të gjithë dhe meriton gjithë vlerësimet”, tha ai.
Ndikimi i Carrickut në “Old Trafford” ka qenë i jashtëzakonshëm, duke e nxjerrë klubin nga një periudhë e vështirë nën drejtimin e Ruben Amorimit.
Para largimit të tij në janar, Amorimi kishte drejtuar United në 20 ndeshje të Premierligës në sezonin 2025-26, duke regjistruar vetëm tetë fitore, shtatë barazime dhe pesë humbje.
Në kontrast të plotë, Carricku ka transformuar ekipin që nga marrja e drejtimit, duke udhëhequr skuadrën në 16 ndeshje kampionale me 11 fitore, tri barazime dhe vetëm dy humbje.
Ky rikthim i madh ka shpëtuar sezonin e Manchester Unitedit dhe ka siguruar rikthimin e klubit në Ligën e Kampionëve./GazetaExpress/
