Vlora Çitaku rikujton injorimin ndaj Fatos Gecit: PDK-ja nuk u viktimizua kurrë, as pas sulmeve verbale e fizike
Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka reaguar sërish lidhur me një incident të kaluar me deputetin e Lëvizjes GUXO, Fatos Geci. Çitaku kujtoi ofendimet e Gecit ndaj saj, si dhe injorimin e saj kur ai shkoi t’i kërkonte falje. Ajo e shoqëroi këtë rikujtim me një deklaratë të fortë, duke theksuar se PDK është partia e vetme në Kosovë që nuk është viktimizuar kurrë, pavarësisht sulmeve.
Kjo deklaratë e Çitakut vjen në një ditë kur në Skenderaj ndodhi një incident tjetër politik mes kryetarit të Komunës, Sami Lushtaku, dhe kryetarit të degës së Lëvizjes Vetëvendosje në Skenderaj, Hysni Mehani.
Në postimin e saj, Çitaku ka publikuar sërish një foto të Gecit që i ishte drejtuar asaj, duke shkruar se PDK-ja nuk e ka luajtur kurrë rolin e viktimës. Ajo ka cituar: “Është vetëm një parti në Kosovë që kurrë nuk është viktimizuar. As kur është sulmuar verbalisht, politikisht e fizikisht. Nuk është fshehur pas rolit të viktimës, por ka qëndruar përballë sfidave, sulmeve e padrejtësive, me kokën lart. Gjatë gjithë jetës”.
