**Bajrami akuzon ministrin Mujën: ‘Aventurat’ e tij dëmtuan rëndë prodhimin vendor dhe industrinë e qumështit**
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka kritikuar ashpër ministrin ushtrues detyre të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Mujën, lidhur me gjendjen në industrinë e qumështit dhe dëmtimin e prodhimit vendor.
Bajrami theksoi se ato që ajo i quajti ‘aventura’ të ministrit Muja, kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme jo vetëm në industrinë e qumështit, por edhe në sektorë të tjerë të prodhimit në Kosovë.
Gjatë një prononcimi në KlanKosova, Bajrami shpjegoi pasojat: “A e dini çfarë dëmi i kanë shkaktuar aventurat e ministrit të Bujqësisë prodhimit vendor? Dhe nuk po flas këtu vetëm për industrinë e qumështit, por për secilin produkt që prodhohet në Kosovë.”
Ajo paralajmëroi se “një kompani e madhe mundet nesër të marrë avokatë më të mirë, ta padisë shtetin dhe të fitojë miliona, madje edhe më shumë, siç ka ndodhur në të kaluarën, për shkak të humbjeve në imazh dhe dëmeve të tjera.” Më tej, deputetja ngriti pyetjen retorike, duke vënë theksin te sfidat e fermerëve të vegjël: “Po çfarë bëjnë fermerët e vegjël?”
