Shoqata e Qumështoreve të Kosovës ka kërkuar zbatim të plotë dhe pa përjashtime të vendimit të Inspektoratit për ndalimin e produkteve që përmbajnë vaj palme dhe qumësht pluhur, duke theksuar se implementimi aktualisht është i pjesshëm.
Nëpërmjet një reagimi, Shoqata vë në dukje se, ndonëse në rrjetet e marketeve është vërejtur një përmirësim i dukshëm, produkte të tilla vazhdojnë të qarkullojnë përmes shitjeve direkte në furra, restorante dhe njësi të tjera gastronomike. Ajo thekson se “Vendimet shtetërore nuk janë opsion – duhet të zbatohen!”.
Shoqata u bën thirrje institucioneve përgjegjëse të ndalin prodhimin ilegal dhe të hetojnë se ku po përfundojnë produktet e larguara tashmë nga tregu. Gjithashtu, kërkohet që moszbatimi i vendimeve të mos mbetet pa pasoja dhe të revokohen licencat e operatorëve që nuk respektojnë rregulloret, duke nënvizuar se “mbi ligjin nuk mund të jetë askush”.
Një tjetër kërkesë e rëndësishme është hetimi i plotë i përdorimit dhe tregtimit të produkteve me vaj palme dhe qumësht pluhur gjatë 15 viteve të fundit. Shoqata thekson se çështja e vajit të palmës nuk duhet të trajtohet si problem i një sektori të vetëm, por si një çështje thelbësore e sigurisë ushqimore, mbrojtjes së fermerëve dhe ekonomisë së vendit. “Vaji i palmës nuk është problem i Shoqatës – është problem shtetëror,” thuhet në reagim.
Në fund, Shoqata e Qumështoreve i bën thirrje institucioneve të garantojnë zbatimin e plotë të ligjit, të mbrojnë fermerët dhe konsumatorët, dhe të ushtrojnë zero tolerancë ndaj prodhimit klandestin, duke përmbyllur me mesazhin: “Asnjë hap prapa. Asnjë standard i dyfishtë. Asnjë tolerim për prodhimin klandestin. Asnjë operator mbi ligjin.”
