**Kushtetuesja anulon vendimin e Apelit, konstaton shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë në rastin me AKP-në**
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm në rastin e Anemsha Sejranit. Ky vendim vjen pas një kërkese të Sejranit, e cila kishte kërkuar vlerësimin e kushtetutshmërisë së një aktgjykimi të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, lidhur me një kontest me Agjencinë Kosovare të Privatizimit (AKP).
Gjykata, unanimisht, e shpalli kërkesën të pranueshme dhe konstatoi se mosmbajtja e seancës dëgjimore ka shkelur nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Si rrjedhojë, Gjykata Kushtetuese e shpalli të pavlefshëm aktgjykimin e datës 5 shkurt 2026 të Kolegjit të Apelit, për ankesën me numër A-0003, dhe e ka kthyer çështjen për rishqyrtim.
Rasti origjinal lidhet me një kontest të iniciuar nga bashkëshorti i ndjerë i aplikueses, i cili kishte kërkuar përfshirjen në listën përfundimtare të punëtorëve që kishin të drejtë të përfitonin 20 për qind nga privatizimi i ndërmarrjes shoqërore “Lidhja e Vozitësve”.
Kërkesa e tij ishte refuzuar nga organet përkatëse, ndërsa ankesa ishte shqyrtuar në të dy shkallët e Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme pa u mbajtur fare seancë dëgjimore.
Në arsyetimin e saj, Gjykata Kushtetuese theksoi se e drejta për një proces të rregullt përfshin, si rregull, edhe të drejtën për seancë dëgjimore. Sipas Gjykatës, në këtë rast nuk kishte rrethana të jashtëzakonshme që do të justifikonin mungesën e seancës, pasi çështja nuk ishte ekskluzivisht ligjore apo e natyrës së lartë teknike.
Gjykata sqaroi se shkelja e konstatuar ka të bëjë vetëm me aspektin procedural, përkatësisht me mosmbajtjen e seancës dëgjimore. Ky vendim nuk paragjykon rezultatin përfundimtar të kontestit në gjykatat e zakonshme.
