**Zjarret në Shqipëri: 11 Vatra Aktive, Mbi 1000 Forca Operacionale në Terren**
Ministria e Mbrojtjes bën me dije se gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 43 vatra zjarri në të gjithë vendin. Prej tyre, 11 mbeten ende aktive, 8 janë nën mbikëqyrje të vazhdueshme, ndërsa 24 janë shuar plotësisht.
Në operacionet e shuarjes janë angazhuar 614 forca vendore dhe lokale, 355 pjesëtarë të Forcave të Armatosura (FA), 70 automjete zjarrfikëse vendase, si dhe mjete të tjera të FA-së. Janë kryer 4 operacione me helikopterë dhe 1 me avion të tipit Air Tractor.
**Situata Sipas Qarqeve:**
* **Qarku Tiranë:** Në Malin e Dajtit, zjarri vijon të jetë aktiv në një sipërfaqe të mbuluar me pyll ahu dhe shkurre. Në operacion marrin pjesë 25 zjarrfikës, 7 forca të Agjencisë së Mbrojtjes Civile, 74 efektivë të Forcave të Armatosura me 10 mjete dhe 1 autoambulancë, si dhe 1 avion Air Tractor. Nuk ka rrezik për zonat e banuara. Ndërkohë, vatrat në Kryezi të Kavajës dhe në Malin e Bërzhitës mbahen nën mbikëqyrje.
* **Qarku Dibër:** Katër vatra mbeten aktive: në Vajkal të Bulqizës, në Lundre–Madhesh të Matit, në Qafën e Helmes në Fushë-Bulqizë dhe në Cerrujë–Mali i Allushit në Klos. Në Lundre–Madhesh janë angazhuar 33 forca vendore, të mbështetura nga 37 pjesëtarë të FA me 3 mjete dhe 1 autoambulancë; ka operuar edhe 1 helikopter i Forcës Ajrore. Për këto vatra aktive nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.
* **Qarku Lezhë:** Vazhdojnë të jenë aktive vatrat në Gallatë të Kurbinit dhe në Kalivaç–Zimaj–Kashnjet të Lezhës. Situata më intensive paraqitet në Kalivaç–Zimaj–Kashnjet, ku janë angazhuar 63 forca vendore e vullnetare dhe 132 efektivë të FA, me 7 mjete, 3 automjete zjarrfikëse dhe 2 autoambulanca; ka operuar edhe 1 helikopter i Forcës Ajrore. Rreziku për banesat është shmangur.
* **Qarku Elbasan:** Mbetet aktive vatra në Gurëshpatë, njësia administrative Polis, Librazhd, ku po veprojnë forcat e Shërbimit Zjarrfikës Librazhd. Nuk ka rrezik për zonat e banuara. Vatra në malin e Qukësit, Prrenjas, mbahet nën mbikëqyrje.
* **Qarku Shkodër:** Tre vatra kryesore mbeten aktive: në Mnelë të Vogël, Vau-Dejës, në Bardhaj–Myselim, Shkodër, dhe në malin e Tërbunit, Pukë. Në Bardhaj–Myselim janë angazhuar strukturat vendore dhe 58 efektivë të FA me mjete zjarrfikëse dhe autoambulancë; ka operuar edhe 1 helikopter i Forcës Ajrore. Në Tërbun po operojnë 46 forca vendore e policore dhe 42 efektivë të FA me 6 mjete dhe autoambulancë. Në të dyja zonat nuk raportohet rrezik për banesat. Vatrat në Iballë dhe Bërdicë janë nën mbikëqyrje.
* **Qarku Vlorë:** Vatra në Bolenë, Horë-Vranisht, Himarë, është nën mbikëqyrje nga forcat e Shërbimit Zjarrfikës Himarë. Vatra që ishte riaktivizuar në Kropisht, Selenicë, është deklaruar e fikur.
* **Qarku Fier:** Vatrat në Peshtan, Fier, dhe Çërrilë, Mallakastër, mbahen nën mbikëqyrje nga forcat zjarrfikëse, respektivisht në sipërfaqe me ullishte dhe në pyll me pisha, lisa e shkurre.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile po e ndjek vazhdimisht situatën në të gjithë territorin e vendit, në bashkërendim të ngushtë me prefekturat, bashkitë dhe të gjitha strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile. Forcat operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri të plotë për të ndërhyrë aty ku situata e kërkon, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave, pronës së qytetarëve dhe mjedisit.
