Taylor Swift shënon rekord historik në SHBA me rikthimin në majën e klasifikimeve country

Taylor Swift është rikthyer në krye të klasifikimeve të muzikës country në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, falë këngës së saj të re “I Knew It, I Knew You”, pjesë e kolonës zanore të filmit “Toy Story 5”.

Këtë javë, kënga arriti vendin e parë në renditjen e transmetimeve radiofonike country në SHBA, duke shënuar kthimin e Swift në krye të listës pas 13 vitesh mungese.

Ky shënon suksesin e 13-të të Taylor Swift në pozicionin e parë të renditjeve radiofonike country si artiste solo, dhe të 14-tin në total, duke përfshirë edhe bashkëpunimet.

“I Knew It, I Knew You”, e shkruar dhe prodhuar nga Swift në bashkëpunim me Jack Antonoff, kishte arritur më parë majën e listës prestigjioze Billboard Hot 100, duke thyer edhe disa rekorde transmetimesh pas publikimit në qershor.

Kënga është frymëzuar nga personazhi Jessie, i interpretuar me zërin e Joan Cusack në filmin “Toy Story”. Vetë Swift e ka përshkruar procesin krijues të këngës si një përvojë që ishte njëkohësisht “një largim muzikor dhe një rikthim në shtëpi”.

Këngëtarja e performoi për herë të parë drejtpërdrejt muajin e kaluar, në një përzierje të hiteve (medley) së bashku me “All Too Well” dhe “August”, gjatë një ngjarjeje të organizuar nga Muzeu Grammy. Kjo ishte performanca e saj e parë publike që prej martesës me Travis Kelce më 3 korrik.