**CNN: Ekstremizmi i AfD-së gjermane po largon edhe partitë e tjera të djathta ekstreme**

Rritja e partisë “Alternativa për Gjermaninë” (AfD) në Gjermani po ngjall shqetësim të përhapur, madje edhe në mjedise të papritura, siç janë partitë e tjera të krahut të djathtë ekstrem europian.

Ndërkohë që partia gjermane po arrin nivele kulmore mbështetjeje në vend, disa nga aleatët e saj më të ngushtë ideologjikë diku tjetër në Europë po distancohen prej saj, thekson CNN.

Ky tension u ridëshmua pas zgjedhjeve të fundit rajonale në Gjermani. Në landin e Saksonisë-Anhaltit, në fillim të këtij muaji, AfD-ja regjistroi rezultate historike, duke fituar 43.8% të votave dhe duke mbetur vetëm tre mandate larg shumicës absolute. Zgjedhjet në Meklenburg-Pomerani dhe në Berlin, fundjavën e kaluar, treguan gjithashtu një zhvendosje nga partitë kryesore drejt ekstremeve politike, veçanërisht drejt AfD-së.

Disa nga liderët e partive të bllokut të djathtë ekstrem i kanë përcjellë urimet e tyre, përfshirë Geert Wilders nga Partia për Lirinë e Holandës, Viktor Orbán nga Fidesz-i i Hungarisë dhe Santiago Abascal nga Vox-i i Spanjës, i cili e cilësoi përparimin e AfD-së si “një shpresë të madhe për Gjermaninë dhe Europën”.

Megjithatë, disa nga partitë më të mëdha të krahut të djathtë ekstrem në Europë – përfshirë ato në Francë, Itali dhe Britani – kanë ruajtur heshtjen.

Partia franceze “Rassemblement National” (RN), dikur një nga partnerët më të ngushtë të AfD-së, deklaroi, madje edhe para votimit në Saksoni-Anhalt, se një bashkëpunim i përtërirë me AfD-në “nuk është parashikuar”.

Për lideren e partisë, Marine Le Pen, në këtë situatë luajnë rol si llogaritë politike të brendshme, ashtu edhe faktorët ideologjikë.

Nën udhëheqjen e saj, “Rassemblement National” ka adoptuar atë që e quan “detoksifikim”, duke e larguar partinë nga ksenofobia e hapur e themeleve të saj, të ndërtuara nën Jean-Marie Le Pen (babai i saj), drejt rrymës politike kryesore.