CNN: Zyrtari i Lartë Iranian Sinjalizon Gatishmëri për Ofensivë
Një zyrtar i lartë iranian ka sinjalizuar një ndryshim drejt një qëndrimi më ofensiv kundër Shteteve të Bashkuara, duke deklaruar se fushata e saj e presionit ekonomik do të dështojë. Kjo vjen si një tjetër tregues se udhëheqja e linjës së ashpër e Iranit nuk është e gatshme për kompromis, pavarësisht përkeqësimit të krizës ekonomike, raporton CNN.
“Bota e ka kuptuar se Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, po bën thjesht zhurmë boshe dhe se retorika e tij nuk është asgjë më shumë se fjalë pa përmbajtje,” tha Mohsen Rezaei, sekretar i Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare, në një intervistë të djeshme.
Komentet e Rezaeit nënvizojnë kontrollin e fortë që ushtrojnë forcat e linjës së ashpër në Teheran dhe gatishmërinë e tyre në rritje për të marrë një pozicion më agresiv.
“Do të shohim ndryshime në mënyrën se si zhvillohet lufta, në diplomaci dhe në çështjet politike e sociale, dhe do të vihen në përdorim aftësi të reja,” shtoi ai.
Rezaei, i cili është këshilltar i liderit suprem të Iranit, Mojtaba Khamenei (sipas burimit), theksoi se Irani nuk do t’i dorëzohet presionit amerikan, duke shtuar se Ngushtica e Hormuzit do të mbetet e mbyllur derisa Uashingtoni të përmbushë angazhimet e tij.
Ndërkohë, të dhënat e transportit detar sugjerojnë se më shumë naftë bruto po kalon nga Gjiri Persik përmes një rruge jugore pranë brigjeve të Omanit, gjë që mund të minojë ndikimin që Irani ka ushtruar gjatë muajve të fundit.
Rezaei shërbeu si komandant i lartë gjatë luftës me Irakun në vitet 1980, një periudhë themelore në krijimin e Republikës Islamike. Emërimi i tij këtë muaj si shef i ri i sigurisë shihet si një lëvizje drejt një qasjeje më agresive.
Në komentet e tij më të rëndësishme që nga marrja e detyrës, Rezaei pohoi gjithashtu se qasja agresive e SHBA-së ndaj Iranit ka nxitur vendet të kërkojnë mbrojtje duke siguruar armë bërthamore.
“Vendimet e pamenduara të Trumpit në lidhje me Iranin kanë rritur dëshirën e shteteve në mbarë botën për të siguruar armë bërthamore, veçanërisht pasi panë se anëtarësimi në Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (AIEA) dhe Traktatin për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore (NPT) nuk shërbeu për të parandaluar një sulm amerikan,” deklaroi ai.
