Coventry City po synon të thyejë rekordin e vet të transferimeve në këtë verë, pasi ka siguruar rikthimin në Premierligë, sipas raportimeve.

Coventry dominoi Championshipin nën drejtimin e Frank Lampardit sezonin e kaluar, duke mbledhur 95 pikë për të siguruar ngjitjen në elitën e futbollit anglez.

Klubi nga Midlands nuk ka qenë në Premierligë që nga viti 2001 dhe pritet të bëjë ndryshime të mëdha në skuadër për t’u përgatitur për nivelin e ri.

Megjithatë, Coventry e ka të qartë se kë duan si portier të parë: ata duan të mbajnë portierin që ishte kyç në suksesin e promovimit.

I huazuar nga Brightoni, Carl Rushworth regjistroi 17 porta të paprekura në 46 ndeshje në Championship dhe u përfshi në “Ekipin e Sezonit”.

Portieri i Kombëtares U21 të Anglisë ka qenë aq impresionues saqë madje u përfol se trajneri i Anglisë, Thomas Tucheli, po e ndiqte nga afër.

Megjithëse ai është ende lojtar i Brightonit, Coventry City dëshiron ta blejë përfundimisht dhe gazetari Sam Cohen raportoi se klubi ka bërë një ofertë prej 20 milionë paundësh për Rushworthin.

Në platformën “X”, Cohen u tha 171,000 ndjekësve të tij se negociatat janë në vazhdim.

Nëse shifra është e saktë dhe marrëveshja realizohet, Rushworthi do të bëhej transferimi më i shtrenjtë në historinë e Coventry Cityt.

Rekordi aktual mbahet nga sulmuesi Haji Wright, i cili u transferua për 7.7 milionë paund nga Antalyaspori në vitin 2023 dhe ka shënuar 49 gola në 124 ndeshje.

Para tij, blerja më e shtrenjtë ishte 5.5 milionë paund për të siguruar shërbimet e Craig Bellamys nga Norwich City në vitin 2003.

Huazimi te Coventry ka qenë i gjashti në karrierën e Rushworthit dhe ai ende nuk ka debutuar në ekipin e parë të Brightonit.

Megjithatë, 24-vjeçari beson se këto huazime e kanë bërë një portier më të fortë dhe më të gatshëm për Premierligë.

“Kam folur për këtë me Brighton kur isha i ri,” tha Rushworthi në një intervistë për “Sky Sports” në mars.

“Huazimi i parë ishte kur isha 18 vjeç, te Worthing në nivelin e shtatë. Nuk më interesonte niveli, thjesht doja të luaja dhe të merrja fizikalitetin e lojës… Aty luajta 30 ndeshje, pastaj shkova në League Two dhe League One, duke u rritur gradualisht… nëse nuk do i kisha bërë këto hapa, ndoshta nuk do isha portieri që jam sot”, tha ai tutje./GazetaExpress/