Danimarkë: Përplasje kokë më kokë e dy trenave, raportohen disa të plagosur

Një përplasje ballë për ballë mes dy trenave lokalë ka ndodhur sot në Danimarkë, pranë qytetit Hillerod, në veri të Kopenhagenit, duke lënë disa persona të plagosur. Incidenti, rrethanat e të cilit janë ende të paqarta, ka mobilizuar menjëherë shërbimet lokale të emergjencës.

Sipas një zëdhënësi të Departamentit të Zjarrfikësve, pasagjerët e lënduar janë nxjerrë nga trenat dhe për momentin nuk ka persona të bllokuar. Megjithatë, ai nuk dha detaje mbi numrin e saktë apo gjendjen shëndetësore të tyre.

Ndërkohë, gazeta daneze “Ekstrabladet” raporton se informacionet paraprake flasin për 5 deri në 10 të plagosur nga aksidenti.

Menjëherë pas ngjarjes, forca të shumta policie dhe ekipe shpëtimi mbërritën në vendngjarje. Aksidenti ka ndodhur në linjën hekurudhore midis Hillerod dhe Kagerup, në zonën e Isterodvejen.

Policia e Nordsjælland-it njoftoi se segmenti hekurudhor midis Isterodvejen dhe Kagerup është mbyllur dhe pritet të qëndrojë i tillë për një periudhë të zgjatur kohore. Drejtuesit e automjeteve udhëzohen të ndjekin rrugë alternative. Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e përplasjes.