**Delegacioni i BE-së në Serbi shpreh shqetësim për incidentet e dhunshme: I bën thirrje palëve për qetësi**
Delegacioni i Bashkimit Evropian në Serbi ka shprehur shqetësim për raportimet lidhur me incidente të dhunshme në disa qendra votimi, gjatë procesit zgjedhor në këtë vend.
Shefi i Delegacionit të BE-së në Serbi, Andreas von Beckerath, theksoi se qytetarët serbë duhet të kenë mundësi ta ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike për të votuar në një mjedis të qetë dhe të sigurt.
Në një deklaratë të publikuar në platformën sociale X, von Beckerath u bëri thirrje të gjitha palëve që të ruajnë qetësinë, të veprojnë me përgjegjësi dhe të përmbahen nga dhuna e provokimet.
Ai, po ashtu, kërkoi nga institucionet përgjegjëse të garantojnë sigurinë e të gjithë pjesëmarrësve në procesin zgjedhor.
“Jemi thellësisht të shqetësuar për raportimet lidhur me incidente të dhunshme në disa qendra votimi”, deklaroi von Beckerath.
