Dy ish-zyrtarë të “Pallatit të Rinisë” dënohen për korrupsion: Zogjani 3.5 vjet burg, Rrustemi 1 vit me kusht
Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur vendimin dënues për dy ish-zyrtarë të Ndërmarrjes Publike Lokale “Pallati i Rinisë”, Astrit Zogjani dhe Faton Rrustemi, të akuzuar për vepra të ndryshme korrupsioni. Astrit Zogjani u dënua me një dënim të unifikuar prej tre vjet e gjashtë muaj burgim dhe 5,000 euro gjobë, ndërsa Faton Rrustemi me një vit burgim me kusht dhe 1,000 euro gjobë.
Astrit Zogjani e pranoi fajësinë që në seancën fillestare, ndërsa Faton Rrustemi lidhi një marrëveshje për pranim fajësie me Prokurorinë.
Zogjani, i cili shërbeu si menaxher i financave dhe më pas si ushtrues detyre i kryeshefit ekzekutiv të “Pallatit të Rinisë”, akuzohej për “përvetësim në detyrë” dhe “keqpërdorim të detyrës zyrtare”. Rrustemi, në cilësinë e përgjegjësit të sigurisë në të njëjtën ndërmarrje, akuzohej për “ndihmë në kryerjen e veprës penale keqpërdorim i detyrës zyrtare”.
Vendimi u shpall të enjten nga kryetarja e trupit gjykues, Violeta Namani-Hajra. Për Zogjanin, dënimi i unifikuar përbëhet nga një vit burgim dhe 2,000 euro gjobë për “përvetësim në detyrë”, si dhe tre vjet burgim dhe 3,000 euro gjobë për “keqpërdorim të detyrës zyrtare”. Në dënimin me burgim i llogaritet koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak, ndërsa gjoba, në rast mospagese, zëvendësohet me burgim. Atij iu shqiptua edhe dënimi plotësues i ndalimit të ushtrimit të funksioneve në administratën publike dhe shërbime publike për katër vjet pas mbajtjes së dënimit me burgim, si dhe u detyrua të kompensojë shumën e dëmtuar palës së ankuar.
Rrustemi u dënua me një vit burgim me kusht, që do të thotë se dënimi nuk do të ekzekutohet nëse ai nuk kryen vepra të tjera penale brenda një periudhe dyvjeçare, si dhe me një gjobë prej 1,000 eurosh. Gjithashtu, atij iu ndalua ushtrimi i funksioneve në administratën publike për dy vjet.
Të dy të dënuarit u urdhëruan të paguajnë nga 100 euro për shpenzimet e procedurës penale dhe nga 100 euro për Fondin për Kompensimin e Viktimave të Krimit.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Astrit Zogjani, në periudhën shtator 2021 – korrik 2022, si menaxher financiar i “Pallatit të Rinisë”, akuzohej se kishte përvetësuar rreth 39,957 euro e 7 centë nga llogaria e ndërmarrjes në atë personale, duke urdhëruar transaksione pa bazë ligjore.
Gjithashtu, si u.d. kryeshef ekzekutiv nga gushti deri në dhjetor 2022, ai akuzohej se kishte tejkaluar kompetencat, duke transferuar një shumë totale prej rreth 97,597 euro e 19 centë nga llogaria zyrtare e ndërmarrjes në llogarinë e tij dhe të personave të tjerë. Këto transferta përfshinin shuma të ndryshme drejt llogarive personale të Zogjanit, pronarit të një salloni makinash (Arsim Xhylani), babait të këtij të fundit (Bajram Xhylani), Jahir Berishës, si dhe Faton Rrustemit. Aktakuza thekson se këto shuma ishin transferuar me përshkrime të rreme si “pagesë për shpenzime” apo “pagesë për punë”, duke përfshirë edhe fonde të përdorura për blerjen e një automjeti “Range Rover Sport” për përdorim personal të Zogjanit, jo për ndërmarrjen.
Faton Rrustemi, si përgjegjës sigurie, akuzohej se kishte ndihmuar Zogjanin duke tërhequr shumën prej 9,250 eurosh, e cila ishte transferuar nga llogaria e ndërmarrjes në llogarinë e tij me një përshkrim të rremë, dhe ia kishte dorëzuar personalisht Zogjanit.
*Burimi: Betimi për Drejtësi*
