**Raportohen dëmtime dhe gërmime ilegale në lokalitetin arkeologjik ‘Kalaja’ në Gostivar**
Sektori i Punëve të Brendshme (SPB) Tetovë ka njoftuar për dëmtime të regjistruara në murin e lokalitetit arkeologjik “Kalaja” në Gostivar, ku janë konstatuar edhe gërmime ilegale.
Incidenti është raportuar më 16 shtator 2026, rreth orës 13:45, kur drejtori i Qendrës Konservuese Gostivar, me inicialet C.N., ka bërë denoncimin në Stacionin Policor të Gostivarit. Denoncimi lidhej me dëmtimin e një pjese të murit të këtij siti historik.
Pas denoncimit, ekipet policore kanë kryer këqyrje në vendngjarje, ku kanë konstatuar gërmime në tri lokacione të ndryshme brenda kalasë.
Nga SPB Tetovë bëhet e ditur se po merren të gjitha masat e nevojshme për zbardhjen e plotë të rastit dhe identifikimin e përgjegjësve.
