**Deputetja Haxhiu kritikon ashpër dërgimin e vagonave në Serbi pas vrasjes së Afrim Bunjakut**

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Teuta Haxhiu, ka shprehur sot në Kuvendin e Kosovës habi dhe indinjatë për dërgimin e vagonave të trenit të Kosovës për riparim në Serbi, vetëm disa muaj pas vrasjes së rreshterit Afrim Bunjaku në Banjskë.

Në fjalimin e saj, Haxhiu theksoi se një veprim i tillë ishte i papranueshëm dhe tregonte mungesë të theksuar ndjeshmërie. “Nuk mund të besoja që, disa muaj pas vrasjes së rreshterit Bunjaku, të dërgoheshin vagona në Serbi për rregullim,” tha ajo. “Një veprim i tillë është i papërgjegjshëm dhe tregon mungesë ndjeshmërie. Çfarë mund t’i thuhet sot familjes së viktimës? Në kohën kur të gjithë qytetarët ndjenin dhimbje për humbjen e një djaloshi në detyrë, e kur disa prej tyre kishin guximin të merrnin pjesë në varrimin e tij, të tjerët dërgonin vagona për t’i riparuar në Serbi,” shtoi Haxhiu.

Më tej, deputetja Haxhiu theksoi se kryeministri Albin Kurti duhet të ndërmerrte veprime të menjëhershme si pasojë e kësaj situate. “Minimalisht, ajo që duhej të kishte bërë Kryeministri Kurti që dje, është shkarkimi i ministres Artane Rizvanolli,” përfundoi ajo.