**Deputetja Haxhiu: Mbyllja e dyerve të Kuvendit është praktikë në mungesë seancash**
Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka dhënë sqarime në oborrin e institucionit lidhur me çështjen e mbylljes së dyerve të Kuvendit. Ajo theksoi se nuk është e vërtetë që kjo masë u mor posaçërisht kundër opozitës, por është një praktikë e rregullt që ndiqet sa herë që nuk ka seancë të thirrur zyrtarisht, raporton Express.
“Kushdo që pretendon se dyert e Kuvendit janë mbyllur për opozitën nuk thotë të vërtetën. Ato gjithmonë janë mbyllur kur nuk ka seancë. Ne nuk kemi parë asnjë kërkesë për seancë të jashtëzakonshme. Ka disa mënyra se si thirret një seancë e Kuvendit, përfshirë thirrjen nga Qeveria. Mirëpo, asnjëra nga këto nuk ka ndodhur, dhe për këtë arsye askush nga administrata nuk ishte i obliguar të ishte prezent. Në momentin që thirret seanca, dyert hapen dhe i gjithë stafi administrativ vjen. U bëj thirrje deputetëve të mos akuzojnë askënd, sepse nuk ka pasur asnjë qëllim të keq apo tendencë diskriminimi. Rregullorja e Kuvendit përcakton rregullat,” përfundoi Haxhiu.
