Dhjetë oficerë të rinj nga Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) kanë diplomuar me sukses në Akademinë e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Këtë ngjarje Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, e ka cilësuar si një moment krenarie për institucionet kosovare dhe dëshmi të përkushtimit të përbashkët për ndërtimin e kapaciteteve ushtarake profesionale, në përputhje me standardet e NATO-s.

Ministri Maqedonci, i pranishëm në ceremoninë e diplomimit me ftesë të homologut shqiptar, z. Ermal Nufi, shprehu kënaqësinë për bashkimin e 10 oficerëve të rinj në radhët e ushtrisë kosovare. Në total, në këtë ceremoni diplomuan 67 oficerë të rinj, përfshirë dhjetë nga Kosova.

Maqedonci theksoi gjithashtu se bashkëpunimi i ngushtë me Shqipërinë po forcohet vazhdimisht. Kjo dëshmohet nga rritja e konsiderueshme e numrit të ushtarakëve kosovarë që ndjekin studime, shkollime dhe trajnime në institucionet ushtarake të Shqipërisë. Vetëm për vitin 2026, qindra ushtarakë kosovarë janë planifikuar të ndjekin programe të ndryshme edukimi dhe trajnimi ushtarak, duke dëshmuar nivelin e lartë të bashkëpunimit mes dy vendeve dhe angazhimin e përbashkët për zhvillimin e kapaciteteve mbrojtëse.

Në fund, Ministri Maqedonci uroi të gjithë oficerët e sapodiplomuar për këtë arritje të rëndësishme, duke u dëshiruar suksese në shërbim të atdheut.