Aksident fatal në magjistralen Mitrovicë-Prishtinë: Humb jetën një grua, disa të tjerë lëndohen
Një grua ka humbur jetën dhe disa persona të tjerë kanë mbetur të lënduar si pasojë e një aksidenti të rëndë që ndodhi sot rreth orës 05:00 në magjistralen Mitrovicë-Prishtinë, saktësisht në fshatin Studime.
Lajmin e konfirmoi zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, i cili bëri të ditur se si pasojë e aksidentit, një grua ka ndërruar jetë, ndërsa disa persona të tjerë kanë pësuar lëndime trupore.
Sipas Hoxhës, në aksident janë përfshirë dy automjete. Menjëherë pas njoftimit, ekipet e emergjencës dhe zjarrfikësit kanë shkuar në vendin e ngjarjes. Policia ka nisur hetimet për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e plota të aksidentit.
“Rreth orës 05:00, në rrugën nacionale Mitrovicë-Prishtinë, në fshatin Studime, ka ndodhur një aksident trafiku ku janë përfshirë dy automjete. Si pasojë, një grua ka humbur jetën, ndërsa disa persona të tjerë kanë marrë lëndime trupore. Shërbimet emergjente dhe zjarrfikësit kanë reaguar menjëherë në vendin e ngjarjes, ndërsa policia po zhvillon hetime për të konstatuar shkaqet e aksidentit”, ka deklaruar Hoxha.
Zëdhënësi Hoxha ka përsëritur apelin drejtuar të gjithë drejtuesve të automjeteve që të tregojnë kujdes të shtuar në trafik dhe të respektojnë me përpikëri rregullat e qarkullimit.
“Ditëve të fundit janë raportuar raste të humbjes së jetëve në rrugët tona si pasojë e aksidenteve në trafik. Policia po punon me intensitet, përmes ekipeve të saj, për parandalimin e tyre dhe marrjen e masave operative. Kërkojmë nga të gjithë drejtuesit e automjeteve të jenë më të kujdesshëm, të respektojnë shenjat e trafikut dhe kushtet e rrugës. Mos përdorni telefonat gjatë vozitjes, pasi shpërqendrimi mund të jetë fatal, si për ju ashtu edhe për pjesëmarrësit e tjerë në trafik”, përfundoi Hoxha.
