**Dita Botërore e Lirisë së Shtypit: Rexha thotë se gazetarët ende janë objekt sulmesh**

Sot u shënua Dita Botërore e Lirisë së Shtypit. Me këtë rast, Xhemajl Rexha, Kryetar i Bordit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), në një deklaratë për KlanKosova.tv, theksoi se gazetarët në Kosovë bëjnë një punë të jashtëzakonshme, por fatkeqësisht vazhdojnë të jenë objekt i sulmeve të ndryshme.

“Kudo në botë, 3 Maji shërben si një ditë reflektimi për të theksuar punën e rëndësishme dhe të pazëvendësueshme të gazetarëve dhe mediave për zhvillimin e çdo demokracie. Në Kosovë, gazetarët vazhdojnë të kryejnë një punë thelbësore, por fatkeqësisht mbeten objekt sulmesh që vijnë nga palë të shumta dhe, mbi të gjitha, nga Qeveria e Kosovës, konkretisht nga partia më e madhe politike në vend. Edhe këtë vit ka pasur fushata të ndryshme kundër gazetarëve, të manifestuara në forma të ndryshme dhe sidomos në hapësirën online, përmes komenteve ofenduese dhe denigruese”, u shpreh Rexha.