Aktori Ozan Güven zbulon: Refuzova rolin e Sulltanit, pranova Rustem Pashën falë një shënimi nga skenaristja
Aktori i njohur turk, Ozan Güven, ka zbuluar së fundmi detaje të papublikuara më parë rreth pjesëmarrjes së tij në serialin historik “Sulejmani i Madhërishëm”. Ai refuzoi fillimisht rolin kryesor të Sulltanit, duke pranuar atë të Rustem Pashës vetëm pas vdekjes së skenaristes Meral Okay, falë një shënimi prekës nga ajo.
Güven, i cili mbetet në kujtesën e publikut shqiptar dhe atij rajonal si Rustem Pasha, e ndau këtë histori në shfaqjen e tij “OMG”, sipas raportimeve të mediave turke. Ai tregoi se skenaristja Meral Okay e kishte kontaktuar gjatë fazës së përgatitjeve të serialit, duke i ofruar rolin e Sulltanit. Megjithatë, në atë kohë, Güven ishte i angazhuar me xhirimet e serialit tjetër “Canım Ailem” krah aktorit Ugur Yücel, prandaj u detyrua ta refuzonte ofertën.
Reagimi i Okayt ishte i mprehtë: “Unë të ofroj një sulltan dhe ti do të luash rolin e kamerierit”, citoi Güven fjalët e saj.
Pas përfundimit të “Canım Ailem” dhe ndërrimit jetë të Meral Okayt, aktori u kontaktua nga producenti Timur Savcı. Ai i tha se në serial do të inkuadrohej personazhi i Rustem Pashës dhe e pyeti nëse do të dëshironte të merrte përsipër këtë rol.
Güven hezitoi fillimisht, pasi sapo kishte përfunduar një angazhim të rëndësishëm. Megjithatë, vendimin e tij e ndryshoi një copë letër, të cilën Savcı ia dorëzoi – një shënim personal i shkruar nga Meral Okay posaçërisht për të. Prej atij momenti, siç tha vetë Güven, “Të nesërmen isha në një fushatë për në Tabriz,” duke aluduar për përgatitjet e rolit.
Aktori iu bashkua kastit të “Sulejmanit të Madhërishëm” si Rustem Pasha në vitin 2013. Ai thekson se nuk ka asnjë pendesë për zgjedhjen e tij. Madje, shprehet me humor: “Është mirë që kam luajtur, ndryshe do ta kisha shumë zili një koleg që do të luante Rustem Pashën”.
Në dhjetor të vitit 2016, Ozan Güven vizitoi Sarajevën së bashku me Meryem Uzerli (e cila luante rolin e Hürrem-it në “Sulejmani i Madhërishëm”), ku prezantuan filmin “Plaga e Nënës Sime”.
