Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, i ka reaguar ashpër deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Kërçelit, duke e akuzuar se po mashtron opinionin publik. Sipas Ramës, Kërçeli po e paraqet çmimin e një shërbimi të plotë si thjesht koston e një shiriti të vetëm.
Reagimi i Ramës u bë përmes një postimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook, ku shpjegoi detajet e shpenzimeve. Ai theksoi se çmimi prej 8.50 eurosh për metër, i cili përfshin TVSH-në, mbulon një gamë të gjerë shërbimesh dhe jo vetëm materialin. Këto shërbime përfshijnë:
* Furnizimin me material;
* Transportin;
* Angazhimin dhe punën e stafit të kompanisë;
* Shtrirjen dhe vendosjen e shiritit në kanalin përkatës nga punonjës kompetentë;
* Garancinë për 10 vjet, sipas kushteve të kontratës;
* Mirëmbajtjen për 10 vjet, sipas nevojës dhe pa kosto shtesë.
Rama e quajti veprim të ulët paraqitjen e të gjitha këtyre shërbimeve vetëm si çmimin e një “shiriti”. Ai sqaroi se procedura në fjalë është shqyrtuar dhe trajtuar nga disa institucione dhe organe kompetente, duke përfshirë Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP), auditorët e brendshëm, auditorët e jashtëm, si dhe Hetuesinë. “Nëse Ilir Kërçeli mendon se ka më shumë njohuri se të gjitha këto institucione dhe organe kompetente, ai duhet t’i paraqesë argumentet e tij,” theksoi Rama.
Kryebashkiaku i Prishtinës i sugjeroi deputetit Kërçeli që, para se të bëjë dalje publike apo shfaqje televizive, të sigurojë informacionet bazë. Ai theksoi se shiriti nëntokësor nuk shërben për të kufizuar zonën e punimeve, por ka një funksion thelbësor paralajmërues. “Është një shirit nëntokësor që paralajmëron praninë e kabllove elektrike, me qëllim shmangien e dëmtimit të tyre dhe mbrojtjen e punëtorëve gjatë gërmimeve të ardhshme nga Ujësjellësi, KEDS-i, Termokosi ose çdo kompani apo ndërmarrje tjetër,” sqaroi Rama.
Në fund të postimit të tij, Rama deklaroi se pret një valë sulmesh pas deklaratave të tij për Kryeministrin, por theksoi se do të kujdeset të ndjekë rrugën ligjore për çdo shpifje. Ai i bëri thirrje deputetit Kërçeli që, herën tjetër, të lexojë dhe kuptojë kontratën përkatëse para se të paraqitet para qytetarëve.
