**30 Kompani Përfituese të 536 Mijë Euro Grante për Energji të Pastër**

Tridhjetë kompani janë përzgjedhur për të përfituar mbështetje financiare në vlerë prej afro 536 mijë eurosh, si pjesë e thirrjes së dytë të skemës së granteve për energji të pastër. Rezultatet u prezantuan dje në një aktivitet të përbashkët të organizuar nga Ministria e Ekonomisë, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), Agjencia për Investime dhe Mbështetje të Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA) dhe LuxDev.

Kjo skemë synon të mbështesë investimet e bizneseve në burime të ripërtëritshme të energjisë dhe teknologji efiçiente. Kështu, kontribuohet në uljen e kostove, rritjen e konkurrueshmërisë dhe përshpejtimin e tranzicionit energjetik të vendit.

Gjatë ceremonisë së shpalljes së rezultateve, Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, theksoi rëndësinë thelbësore të rolit të sektorit privat në transformimin energjetik të Kosovës.

“Çdo panel diellor i instaluar në çatitë e një biznesi apo fabrike do të thotë më pak energji e importuar, më pak presion mbi rrjetin në orët e pikut dhe më shumë siguri energjetike për vendin. Bizneset tona nuk janë më vetëm konsumatorë të energjisë; ato po bëhen pjesëmarrës aktivë në sistemin energjetik”, tha ministrja Rizvanolli.

Konsumatorët komercialë dhe industrialë përbëjnë mbi një të tretën e konsumit total të energjisë elektrike në Kosovë, duke e bërë kontributin e tyre vendimtar për arritjen e objektivave energjetike dhe klimatike të vendit. Investimet në burime të ripërtëritshme dhe teknologji më efiçiente ndihmojnë bizneset të ulin konsumin e energjisë dhe kostot operative, të rrisin produktivitetin dhe të forcojnë qëndrueshmërinë e tyre afatgjatë.

Interesi i sektorit privat për këto investime është në rritje të vazhdueshme. Në thirrjen e parë të skemës u pranuan 91 aplikime, ndërsa 9 kompani përfituan grante në vlerë prej rreth 120 mijë eurosh për instalimin e sistemeve solare fotovoltaike. Deri më tani, pesë prej këtyre projekteve janë përfunduar, ndërsa pjesa tjetër është në fazën e zbatimit dhe monitorimit.

Në total, përgjatë dy thirrjeve, janë përzgjedhur 39 kompani për mbështetje financiare, me vlerë të përgjithshme prej rreth 656 mijë eurosh. Kjo shumë plotësohet nga bashkëfinancimi i siguruar nga vetë bizneset.

Një nga veçoritë kryesore të thirrjes së dytë është zgjerimi i mbështetjes përtej instalimit të sistemeve diellore. Për herë të parë, gjashtë kompani nga sektorët si përpunimi i drurit, përpunimi i ushqimit, ndërtimi dhe prodhimi i betonit, do të investojnë edhe në pajisje efiçiente për linjat e tyre të prodhimit.

Skema mbështet investimet në tri fusha kryesore: sistemet solare fotovoltaike, masat e efiçiencës së energjisë në ndërtesat e bizneseve, dhe pajisjet efiçiente për linjat e prodhimit. Përmes këtyre investimeve, bizneset jo vetëm që përgatiten më mirë për tregun e liberalizuar të energjisë elektrike, por edhe kontribuojnë në përmbushjen e objektivave të Kosovës për tranzicion energjetik dhe zbutje të ndryshimeve klimatike.

Ministria e Ekonomisë falënderoi Qeverinë e Luksemburgut për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës, si dhe MINT, KIESA-n dhe LuxDev-in për bashkëpunimin e tyre në zbatimin e kësaj iniciative.