Mbrëmjen e djeshme, Tirana u bë sërish skena e protestës, tashmë në ditën e saj të 21-të. Për orë të tëra, qytetarë të shumtë u mblodhën para selisë së Kryeministrisë dhe marshuan në rrugët kryesore të kryeqytetit.

Pjesë e kësaj demonstruese ishin edhe shqiptarë nga Diaspora, të cilët, me flamuj dhe pankarta në duar, kërkonin plotësimin e kërkesave të tyre, kryesisht politike.

Para Kryeministrisë, u mbajtën fjalime nga organizatorët, të cilët bënë thirrje për qëndrim në shesh deri në largimin e Qeverisë aktuale.

Një pjesë e protestuesve qëndruan në ambientet para selisë së Kryeministrisë deri në orët e para të mëngjesit, ndërsa disa prej tyre vazhdojnë të qëndrojnë edhe aktualisht. Gjatë kësaj kohe, ata vendosën flamurin shqiptar pranë Piramidës dhe i dhanë ultimatum Kryeministrit Edi Rama, duke i kërkuar dorëheqjen deri të dielën.

Protestës iu bashkua edhe deputetja Marjana Koçeku, e cila një javë më parë u largua nga Partia Socialiste. Pas përfundimit të fjalimeve në podium, marshimi vijoi rreth Kryeministrisë dhe Piramidës, shoqëruar me thirrje për dorëheqjen e Kryeministrit Edi Rama dhe ish-Kryeministrit Sali Berisha.