Drita synon fazën e grupeve në Ligën e Konferencës

Klubi gjilanas synon të përsërisë suksesin europian të sezonit të kaluar.

Kampionia e Kosovës, Drita, ndodhet vetëm një hap larg fazës së grupeve të Ligës së Konferencës. Skuadra gjilanase do të zhvillojë sonte ndeshjen e parë të fazës së “play-off”-it të kësaj gare, bën me dije “Gazeta Express”.

Bardhekaltrit do të mirëpresin ekipin Inter d’Escaldes në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Trajneri Ardian Nuhiu ka shprehur respekt të thellë për kundërshtarin, por ka theksuar se objektivi kryesor i skuadrës është kualifikimi në fazën e ardhshme.

Gjatë konferencës për shtyp, edhe futbollisti Igball Jashari ka pranuar se gjilanasit i pret një ndeshje e vështirë, por shprehu besimin se bashkë me shokët e skuadrës do të arrijnë një rezultat pozitiv.

Drita synon të krijojë një avantazh të rëndësishëm sonte, përpara ndeshjes së kthimit që do të luhet pas një jave në Andorrë.

Sezonin e kaluar, skuadra gjilanase arriti deri në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës, e më pas avancoi edhe në fazën eliminuese.

Ndeshja mes Dritës dhe Inter d’Escaldes do të nisë sonte në orën 20:00 në Prishtinë.