Amir Rrahmani, kapiteni i Kombëtares së Kosovës dhe mbrojtësi i Napolit, ka shënuar një hap të rëndësishëm në jetën e tij private, duke i propozuar për martesë partneres së tij, Drita Stublla.
Propozimi martesor u bë më 30 maj në Sicili të Italisë, pas më shumë se një viti lidhjeje. Gjatë kësaj periudhe, çifti e kishte mbajtur romancën e tyre larg syrit të publikut dhe medias, duke shfaqur kujdes të theksuar ndaj privatësisë. Megjithatë, lajmi për fejesën e tyre u përhap me shpejtësi javë më parë, pasi në rrjetet sociale qarkulluan fotografi nga momenti i propozimit në një jaht luksoz, si dhe një postim i Dritës që tregonte unazën e diamantit.
Pas një periudhe të shkurtër heshtjeje, Drita vendosi të ndajë me ndjekësit e saj pamje të reja nga ky çast i veçantë. Nëpërmjet një postimi në TikTok, ajo zbuloi detaje nga organizimi romantik në Itali, i cili ishte përgatitur me kujdes deri në detajin më të vogël.
Propozimi, i konceptuar si një surprizë, u zhvillua në mes të detit, në bordin e një jahti luksoz. Pranë jahtit kryesor u afruan dy anije të vogla: në njërën ishin miqtë e çiftit, të cilët mbanin një pankartë me mbishkrimin “Marry Me!” (Martohu me mua!), ndërsa në tjetrën ndodheshin fëmijë të veshur me të bardha, me lule dhe kurora në kokë.
Në pamjet e shpërndara shihet edhe momenti emocionues kur Amiri ulet në gjunjë, në pjesën e përparme të jahtit, dhe i propozon Dritës. Pas përgjigjes pozitive, çifti përqafohet mes një atmosfere intime dhe romantike.
Ambientet ishin dekoruar me mbishkrime të personalizuara si “Amir ❤ Drita” dhe “Per sempre io e te” (Përgjithmonë unë dhe ti). Të ftuarit, të gjithë të veshur me të bardha, i dhanë edhe më shumë shkëlqim pamjes përrallore të këtij momenti, të cilin Drita e përshkroi me fjalët: “Ende duke ëndërruar”.
Me këto pamje të reja, çifti ka ndarë me publikun detaje të papara më parë nga një prej ditëve më të bukura të lidhjes së tyre.
