Rrezarta Krasniqi konfirmon nënshkrimin për shkarkimin e Lumir Abdixhikut

Rrezarta Krasniqi, ish-deputete e LDK-së dhe nënkryetare e degës së kësaj partie në Vushtrri, ka konfirmuar se ka nënshkruar për shkarkimin e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku. Këtë e bën të ditur Gazeta Blic.

Krasniqi e ka konfirmuar këtë për “Gazeta Blic”, duke theksuar se është në mesin e mbi 150 delegatëve që kanë firmosur këtë kërkesë.

“Po, kam nënshkruar për shkarkimin e Lumir Abdixhikut”, citohet ajo të ketë thënë për të njëjtën gazetë.

Nga 16 anëtarët e degës së Vushtrrisë, mbi pesë prej tyre kanë nënshkruar për shkarkimin e Abdixhikut.

Nënshkrimet janë duke u mbledhur në të gjitha degët e partisë, ndërsa delegatët kërkojnë mbajtjen e një kuvendi të jashtëzakonshëm.

Kërkesat për dorëheqjen e Abdixhikut vijnë pas rezultatit të dobët zgjedhor të 7 qershorit, ndërkohë që tri degë të tjera tashmë e kanë bërë publike kërkesën e tyre.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) pritet të mbajë sot mbledhjen e kryesisë në orën 15:00.