Dua Lipa zgjeron karrierën kinematografike, pjesë e filmit të ri “Peaked”

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, do të jetë pjesë e kastit të filmit të ri “Peaked”, xhirimet e të cilit pritet të nisin muajin e ardhshëm.

Filmi, prodhim i studios A24, do të drejtohet nga Molly Gordon, e cila ka bashkë-shkruar skenarin së bashku me Ali Levitan. Ngjarja përqendrohet te dy gra, të cilat gjatë viteve të shkollës kishin fituar një reputacion të keq mes shoqeve të klasës. Një dekadë pas diplomimit, ato përpiqen të rimarrin popullaritetin e tyre gjatë një ribashkimi shkollor.

Në kastin e aktorëve përfshihen edhe Emma Mackie, Connor Story, Gabby Windey, Laura Dern, Simone Ashley, Levon Hawke, Amy Sedaris, Alex Konsani dhe Emile Wakeim.

Dua Lipa gëzon një karrierë të shkëlqyer muzikore, e kurorëzuar me tre çmime Grammy dhe shtatë Brit Awards. Ajo fitoi famë ndërkombëtare në vitin 2017 me hitin “New Rules” dhe më pas publikoi albumet “Future Nostalgia” (2020) dhe “Radical Optimism” (2024).

Përveç muzikës, ajo ka debutuar edhe në botën e kinemasë, duke luajtur në filmin “Barbie” dhe më pas në “Argylle”, përkrah Henry Cavill.