**Zyra ju lodh dhe ndryshon pamjen? Shkenca mbështet ‘Teorinë e Ajrit në Zyrë’ të TikTok-ut**
A e keni vënë re ndonjëherë se dukeni ndryshe pas një dite të gjatë në zyrë? Nuk jeni të vetëm. Një dukuri e re po fiton popullaritet në platformat sociale, e njohur si “Teoria e Ajrit në Zyrë” – dhe tani, edhe shkencëtarët pohojnë se ajo mund të ketë një bazë reale.
Influencuesja e njohur në TikTok, Noa Donlan, me miliona ndjekës, ishte ndër të parat që e popullarizoi këtë fenomen. Ajo tregoi se si orët e shumta të kaluara në zyrë ndikonin ndjeshëm në pamjen e saj.
“E vërejta për herë të parë kur isha studente, por u bë më e dukshme kur fillova të punoja me orar të plotë katër vite më parë,” tha Donlan për revistën PEOPLE. “Dilja nga shtëpia e rregulluar, por kur shihja pasqyrën në tualetin e zyrës rreth orës 12:00, lëkura ishte e tharë, flokët (tani të yndyrshëm) pa volum, dhe nuk ndihesha më si vetja ime!”
Shkencëtarët tani pohojnë se pas kësaj teorie mund të fshihet një bazë reale: ajo ka ngjashmëri me fenomenin e njohur si “Sindroma e Ndërtesave të Sëmura” (SNS).
Mikrobiologia Dr. Primrose Freestone nga Universiteti i Leicester shpjegoi për The Conversation se “‘Sindroma e Ndërtesave të Sëmura’ përshkruan simptoma që mund të shfaqen pas qëndrimit të zgjatur në mjedise me ajër të kondicionuar.”
Simptomat mund të përfshijnë dhimbje koke, marramendje, hundë të zëna ose me rrjedhje, kollë të vazhdueshme, irritime apo skuqje të lëkurës, vështirësi në përqendrim dhe lodhje.
Në shkurt, TikToker-ja Donlan postoi një video duke treguar ndryshimet në dukje gjatë ditës, me mbishkrimin: “Më trego që punon në zyrë pa më treguar.” Qindra përdorues ndanë përvojat e tyre në komente: disa vunë re buzë të thata, flokë pa shkëlqim, dhëmbë më të verdhë dhe lëkurë të thatë; të tjerë shprehën shfaqjen e akneve të reja gjatë ditës.
Sipas Dr. Freestone, këta persona mund të vuajnë nga Sindroma e Ndërtesave të Sëmura, e cila ndodh kryesisht te punonjësit e zyrave, por edhe në spitale apo ndërtesa të tjera me ajër të kondicionuar. Simptomat zakonisht përkeqësohen me kalimin e kohës në ndërtesë dhe përmirësohen pas largimit prej saj.
Dermatologia Dr. Catherine Chang shton se ajri i kondicionuar mund të ndikojë ndjeshëm në hidratimin e lëkurës. “Shpesh njerëzit ndihen të thatë në zyrë për shkak të nivelit të ulët të lagështisë në ajër. Ajri i kondicionuar thith lagështinë, duke e bërë lëkurën më të thatë dhe duke nxitur shfaqjen e vijave të holla dhe rrudhave.”
Lou Sommereux nga Clinica Cosmex paralajmëroi se edhe jeta urbane dëmton lëkurën: ndotësit dhe substancat kimike depërtojnë thellë, duke shkaktuar stres oksidativ dhe duke dëmtuar barrierën natyrale të lëkurës. Kjo mund të çojë në pigmentim të pabarabartë, pore të zëna dhe akne, sidomos te personat me lëkurë të ndjeshme ose ata që vuajnë nga ekzema.
Për ata që vuajnë nga lëkura e thatë në zyrë, Dr. Chang rekomandon përdorimin e një humidifikatori, riaplikimin e kremit hidratues gjatë ditës dhe përfshirjen e acidit hialuronik në rutinën e kujdesit për lëkurën.
Kujdesi i rregullt dhe mbrojtja e lëkurës janë thelbësore për t’u përballur me ndikimet e mjedisit të zyrës.
