Nespresso ka prezantuar fytyrën e saj më të re, këngëtaren me famë botërore Dua Lipa, e cila merr vendin e George Clooney në reklamën e re të markës. Prodhuesi zviceran i kapsulave të kafesë, pjesë e kompanisë Nestlé, e angazhoi Lipën si ambasadore të re të markës në mes të muajit mars, ndërsa tani ka nisur zyrtarisht fushatën e madhe promovuese me të.

Së fundmi, është publikuar edhe spoti i parë publicitar, me kohëzgjatje rreth 30 sekonda, ku Dua Lipa shfaqet duke provuar lloje të ndryshme kafeje dhe duke udhëtuar simbolikisht në vende të ndryshme të botës. Reklama e çon atë në një “udhëtim” nëpër kultura dhe atmosfera të ndryshme, nga Nju Jorku, në Itali, e deri në Francë.

Mesazhi kryesor i fushatës së re thekson se çdo filxhan kafeje është një ftesë për të zbuluar diçka të re.

Në një sekuencë të spotit, Dua Lipa me humor huazon sloganin e famshëm të George Clooney-t: “What else?”, i cili për vite me radhë ka qenë sinonim i reklamave të Nespresso. Gjithsesi, Clooney mbetet ende pjesë e markës dhe bën një paraqitje të shkurtër si i ftuar në reklamë.

Nespresso synon që, përmes kësaj fushate dhe tendencave moderne të kafesë, të tërheqë sidomos audiencën më të re. Dua Lipa, fituese e tre çmimeve Grammy dhe një ndër artistet më të dëgjuara në botë, pritet t’i sjellë markës një imazh më bashkëkohor.

Kështu, Nespresso po rinovon strategjinë e saj të marketingut, duke bashkuar një ikonë të etablisur si George Clooney me një yll të ri global si Dua Lipa.