Florind Rama, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për një vrasje të ndodhur në vitin 2022, është arrestuar në Pereira të Kolumbisë. Momenti i prangosjes së tij, ku ai shprehet se dëshiron të kryejë një telefonatë, është publikuar nga mediat kolumbiane.
Në videon e shpërndarë, shihet Florind Rama teksa agjentët i vendosin prangat dhe i komunikojnë akuzat. Gjatë këtij momenti, ai deklaroi se nuk kishte nevojë për avokat dhe kërkoi të bënte një telefonatë për të kontaktuar familjarët.
Rama, i njohur edhe me pseudonimin “Florin Terziu”, ishte në kërkim nga Interpoli për rrëmbim, torturë dhe vrasje, një krim i kryer në Marbella të Spanjës në vitin 2022.
Sipas burimeve mediatike të huaja, gjatë arrestimit ai u përpoq të paraqitej si shtetas gjerman. Megjithatë, autoritetet kishin informacion të plotë mbi identitetin dhe historikun e tij kriminal. Dyshohet se Rama përdorte disa pasaporta dhe lëvizte në vende të ndryshme të Evropës.
Hetimet e lidhin atë me struktura kriminale që veprojnë në zonën e Costa del Sol, e cila është e njohur për trafik droge dhe rrjete ndërkombëtare kriminale.
Akuzat ndaj tij lidhen me vrasjen e një shtetasi serb në qershor të vitit 2022, në zonën Golden Beach në Marbella. Viktima u gjet me shenja torture dhe plagë të shkaktuara nga armë zjarri.
Autoritetet ndërkombëtare vazhdojnë hetimet për të zbuluar lidhjet e mundshme të Florind Ramës me grupe kriminale në disa shtete të Evropës dhe më gjerë.
