Xhavit Haliti: Përplasjet me kryeministrin Kurti i kushtuan karrierës së presidentes Osmani

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, në një intervistë për Ekonomia Online, ka deklaruar se fillimi i mandatit të presidentes Vjosa Osmani ishte pozitiv, por theksoi se asaj i munguan sukseset në arenën ndërkombëtare.

“Mendoj se mandati i saj në fillim ishte shumë pozitiv për Kosovën, pasi një grua, një nënë dhe një intelektuale u bë presidente, pa pasur probleme me të kaluarën. Sidoqoftë, ajo është përpjekur ta kryejë detyrën siç e ka menduar vetë, por kur një person ka një detyrë shtetërore, nuk mund të ndërtojë gjithçka sipas dëshirës personale, por duhet t’u nënshtrohet disa proceseve të domosdoshme. Këto procese janë të rëndësishme për të realizuar detyrën në përputhje me Kushtetutën dhe qëllimin për të cilin është zgjedhur, siç edhe ka premtuar,” citohet Haliti.

Ai theksoi se përplasjet me kryeministrin Albin Kurti i kanë kushtuar presidentes Osmani. Gjithashtu, shtoi se gjatë mandatit të saj nuk ka pasur ndonjë arritje të rëndësishme në arenën ndërkombëtare.

“Nuk do të thosha se nuk ka bërë përpjekje, por është ndeshur me vështirësi dhe, mendoj, ka qenë e paaftë për të ndërtuar politikën e saj. Angazhimi i saj ka qenë më shumë profesional sesa i natyrës shtetërore. Kur e them këtë, bazohem në qëndrimet e kryeministrit dhe qeverisë, si dhe ato të Vjosa Osmanit, në raport me marrëdhëniet dhe qëndrimet që kemi pasur si brenda vendit, ashtu edhe me Perëndimin jashtë tij. Mendoj se përplasjet e saj me kryeministrin, veçanërisht në dy vitet e fundit, i kanë kushtuar karrierës së saj, apo më saktë, mospropozimit për një mandat të dytë si presidente. Kosova nuk ka pasur asnjë arritje të vërtetë në arenën ndërkombëtare, sepse arritjet që shënohen në histori nuk janë pjesëmarrjet në konferenca apo vaksinat, por sukseset konkrete dhe të prekshme,” shpjegoi Haliti.

Haliti theksoi edhe atë që ai e quajti “arritja më e madhe”, e cila, sipas tij, është më negativja për Kosovën.

“Arritja më e madhe që do të mbahet mend negativisht është gjendja e marrëdhënieve me Bashkimin Evropian, sanksionet ndaj Kosovës dhe pamundësia për të formuar qeverinë për më shumë se një vit; tani sërish po shkohet drejt një varianti të ngjashëm. Nuk kam parë ndonjë arritje strategjike. Për shembull, Kosova duhet të bëjë përpjekje të mëdha që pavarësinë e saj ta pranojnë edhe pesë shtetet evropiane që nuk e kanë njohur ende. Mendoj se politika e jashtme duhet të jetë e përqendruar këtu dhe duhet të shpenzohet kohë, mund dhe lidhje, jo thjesht të merrni përsipër diçka sepse keni shkuar në një konferencë dhe jeni fotografuar në korridor apo duke ngrënë drekë – një zakon i zakonshëm në konferenca – dhe më pas ta shisni si sukses në portalet e Kosovës, kur në fakt, rezultati është i ditur,” përfundoi Haliti.