Pesë zyrtarë, të dyshuar për keqpërdorim detyre dhe tjetërsim prone me vlerë 1.5 milionë euro, nuk do të mbahen në paraburgim. Gjykata Themelore në Prishtinë ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit, duke u caktuar atyre masa alternative.

Vendimi i gjykatës prek G.Z., A.G., L.M., D.G. dhe E.A., të cilët dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Si masë alternative, të pandehurve u është caktuar ndalimi për t’iu afruar Komunës së Fushë Kosovës në një largësi prej 200 metrash. Po ashtu, ata janë të obliguar të paraqiten rregullisht në stacionin policor. Këto masa do të jenë në fuqi për një periudhë njëmujore, nga data 8 shtator deri më 8 tetor 2026.

Gjykata ka theksuar se mosrespektimi i këtyre masave nga ana e të pandehurve do të rezultojë në zëvendësimin e tyre me masën e paraburgimit. Sipas gjykatës, masat e vendosura për momentin janë të mjaftueshme për të siguruar zhvillimin e pandërprerë të procedurës penale.

Palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese kundër këtij aktvendimi në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.