Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit po vijon punimet për rikonstruksionin e rrugës Reçan – Lubinjë e Epërme – Lubinjë e Poshtme në Prizren. Projekti, me një gjatësi prej 8.45 kilometrash, aktualisht është në fazën e asfaltimit.

Vlera totale e këtij projekti arrin në rreth 1.5 milionë euro, nga të cilat 1.2 milionë euro financohen nga Qeveria e Kosovës, në bashkëpunim me Komunën e Prizrenit.

Punimet përfshijnë rehabilitimin e plotë të infrastrukturës rrugore, ndërtimin e rreth 100 shtyllave, mureve mbrojtëse dhe sistemeve për kullimin e ujërave atmosferike.

Finalizimi i këtij projekti pritet të përmirësojë ndjeshëm sigurinë dhe kushtet e trafikut, duke lehtësuar lidhjen mes vendbanimeve dhe lëvizjen e lirë të banorëve të zonës.