E ardhmja e Guardiolës te City, në dorën e tij: Klubi nuk ushtron presion

Manchester City do t’i lërë trajnerit Pep Guardiola vendimin për të ardhmen e tij në klub, ndërkohë që spekulimet për një largim të mundshëm të teknikut spanjoll vazhdojnë të qarkullojnë intensivisht.

Sipas informacioneve që qarkullojnë që prej janarit, drejtuesit e kampionëve anglezë nuk do të ushtrojnë presion mbi Guardiolën, duke i dhënë atij kohën dhe hapësirën e nevojshme për të vendosur nëse do të vazhdojë apo jo qëndrimin e tij në “Etihad”.

Në prapaskenë, emri që po fiton më së shumti terren si pasardhës i mundshëm është ai i Enzo Maresca. Italiani konsiderohet kandidati kryesor për të marrë drejtimin e skuadrës, në rast se Guardiola vendos të largohet.

Edhe pse në media janë përmendur edhe alternativa të tjera, përfshirë Vincent Kompany, burime pranë klubit bëjnë me dije se drejtuesit e Manchester City-t kanë një vlerësim të lartë për Marescën dhe e shohin atë si profilin ideal për të vazhduar projektin aktual sportiv.

Për momentin, gjithçka mbetet në pritje të vendimit të Guardiolës, i cili do të jetë përcaktues për të ardhmen e stolit të “Qytetarëve”.