Statistikat e penalltive të Kylian Mbappes te Real Madridi zbulojnë një dallim të madh në efikasitetin e tij, varësisht nga rezultati i ndeshjes. Sulmuesi francez ka vështirësi të shënojë nga pika e bardhë në momentet kur skuadra e tij është në disavantazh.

Që prej transferimit te “Los Blancos”, Mbappe ka realizuar 22 nga 28 penallti të ekzekutuara në La Liga, Ligën e Kampionëve dhe Kupën e Mbretit, me një përqindje suksesi prej 78.57 për qind.

Megjithatë, kjo shifër bie ndjeshëm kur Real Madridi është duke humbur. Në këto raste, francezi ka shënuar vetëm tri nga shtatë penallti, me një efikasitet prej 42.86 për qind.

Ky trend u vazhdua edhe të shtunën e kaluar në ndeshjen ndaj Celta Vigos në Santiago Bernabeu, kur Mbappe dështoi të shënonte nga pika e bardhë, në momentin kur madrilenët ishin në disavantazh prej 1-0. Jude Bellingham dhe Carlos Espi më vonë realizuan për t’i siguruar fitoren Real Madridit.

Një situatë e ngjashme ishte regjistruar edhe më 4 shtator, në përballjen ndaj Real Betisit. Mbappe humbi penalltinë në kohën shtesë, kur skuadra e tij ishte duke humbur 1-0, duke ia mohuar madrilenëve mundësinë për të marrë një pikë në Sevilla.

Edhe dy penalltitë e tjera të humbura gjatë sezonit të tij debutues te Real Madridi ishin kundër Athletic Bilbaos dhe Liverpoolit.

Në vetëm tri raste, Mbappe ka arritur të realizojë nga pika e bardhë dhe të ndihmojë Real Madridin të rikthehet në rezultat. Kjo ka ndodhur në ndeshjet në shtëpi kundër Las Palmas dhe Olympique de Marseille, si dhe në udhëtim ndaj Gironas.

Në anën tjetër, statistikat e tij janë dukshëm më të mira kur rezultati është i barabartë ose kur Real Madridi është në epërsi.

Mbappe ka realizuar të 11 penalltitë e ekzekutuara kur rezultati ka qenë i barabartë, ndërsa ka shënuar tetë nga 10 tentimet në rastet kur madrilenët kanë qenë në epërsi./Telegrafi/