Edona Reshitaj rikthehet me koncertin e tretë recital, “DRITË N’HIJE”.

Pas dy koncerteve të suksesshme, “E kuqja dhe e Zeza” dhe “Zonjat e Kangës”, këngëtarja dhe aktorja e njohur, Edona Reshitaj, prezanton para publikut projektin e saj të ri artistik, koncertin recital “DRITË N’HIJE”. Ky eveniment do të mbahet më 7 dhjetor 2026, në AMC Hall në Prishtinë, duke filluar nga ora 20:00.

“DRITË N’HIJE” është konceptuar si një projekt artistik që tejkalon një shfaqje të zakonshme muzikore. Ai e transformon skenën në një hapësirë rrëfimi, emocionesh, kujtese dhe reflektimi, ku muzika nuk është vetëm tingull, por edhe mesazh, ndjenjë e histori.

Në një atmosferë intime dhe elegante, të frymëzuar nga fryma e xhazit, Edona do të interpretojë e shoqëruar nga një orkestër live e shkëlqyer. Ajo do të sjellë një repertor të përzgjedhur prej 12 këngësh.

Krijime origjinale muzikore dhe këngë të bukura shqipe, disa prej të cilave kanë mbetur në harresë ndër vite, do të rizbulojnë shkëlqimin e tyre në skenën e AMC Hall.

Nga këngët e vjetra shqipe, të rivitalizuara me përpunime që ruajnë dhe përcjellin trashëgiminë tonë kulturore, te krijimet origjinale që trajtojnë tema shoqërore të rëndësishme, bashkë me këngë dashurie dhe festive, koncerti do të ofrojë një mozaik të pasur artistik dhe një përvojë të thellë, duke pasqyruar vetë thellësinë dhe artistizmin e Edonës.

Koncepti i koncertit ndërthur muzikën, interpretimin dhe ndjeshmërinë teatrale të artistes, duke krijuar një lidhje unike mes saj dhe publikut. Përmes një skenografie të kuruar me kujdes, lojës së dritave, atmosferës dhe tingullit të orkestrës live, çdo këngë do të ketë hapësirën e saj për të rrëfyer një histori.

Ashtu si dy koncertet e mëparshme, edhe “DRITË N’HIJE” synon të shënojë një ngjarje të veçantë në jetën kulturore të vendit, duke i ofruar publikut jo vetëm një mbrëmje muzikore, por një përvojë artistike të paharrueshme.