Arrestohet 18-vjeçarja në Mitrovicë, dyshohet për sulm fizik ndaj 12-vjeçares

Policia e Kosovës në Mitrovicë ka bërë të ditur arrestimin e një 18-vjeçareje, e cila dyshohet se ka sulmuar fizikisht një vajzë 12-vjeçare.

Rasti u zbulua dhe e dyshuara u identifikua pas hetimeve intensive të policisë.

Sipas njoftimit zyrtar, arrestimi i të dyshuarës u bë pas mbledhjes së provave materiale, përfshirë këtu një videosekuencë të shpërndarë në rrjetet sociale, ku shfaqet 18-vjeçarja duke rrahur dhe dhunuar fizikisht viktimën e mitur.

Pas sulmit, 12-vjeçarja ka kërkuar trajtim mjekësor.

Në bazë të njoftimit të policisë, pas procedurave të intervistimit dhe me aktvendim të prokurorit kompetent, 18-vjeçares i është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë. Theksohet se rasti është iniciuar për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor” dhe po hetohet në koordinim të plotë me Prokurorinë Themelore.