** Kombëtarja U21 e Kosovës pësoi mbrëmë një humbje befasuese 0:2 kundër Luksemburgut U21, në kuadër të eliminatoreve për Kampionatin Evropian.

Një moment kyç i ndeshjes që ka nxitur reagime ishte anulimi i një goli të shënuar nga sulmuesi Eliot Bujupi. Në pjesën e parë, Bujupi realizoi një gol për Kosovën, i cili megjithatë u anulua nga gjyqtari anësor me arsyetimin e pozitës jashtë loje.

Megjithëkëtë, pamjet e publikuara në rrjetet sociale dhe nga media të ndryshme sugjerojnë se vendimi ishte i gabuar, pasi nuk dukej të kishte pozitë jashtë loje. Ky gol, po të ishte pranuar, mund t’i kishte dhënë ndeshjes një rrjedhë krejt tjetër.

Lidhur me këtë vendim kontrovers, ka reaguar edhe vetë Eliot Bujupi. Sulmuesi i Stuttgartit, përmes një postimi në rrjetet sociale, shkroi me ironi: “Pozitë jashtë loje? I lumtë gjyqtarit tonë kosovar!”

*Burimi: Indeksonline*