Eliot Engel dhe Harry Bajraktari: Një Mësim për Lobimin Shqiptar
Në fjalimin e tij të lamtumirës në Kongresin Amerikan, më 18 dhjetor 2020, në Dhomën e Përfaqësuesve, Eliot Engel ndaloi paksa te një prej historive të tij më të dashura: vizita që Harry Bajraktari i bëri kongresistit të ri, në zyrën e tij në Bronx.
Ai ishte një vit i vështirë për shqiptarët e Kosovës. Slobodan Millosheviçi ndodhej në kulmin e popullaritetit të tij dhe kishte nisur përpjekjet për ta shndërruar Jugosllavinë në një “Serbosllavi”. Hapi i parë për këtë ishte eliminimi i Autonomisë së Kosovës dhe zbatimi i një sistemi segregacioni për shqiptarët, i cili do të prekte shkollat, spitalet dhe çdo institucion thelbësor të jetës së përditshme. Një ditë vjeshte, në Bronx, një biznesmen i ri, Harry Bajraktari, i cili kishte emigruar nga Kosova bashkë me prindërit në moshën 13-vjeçare, i përfshirë thellësisht nga emocionet rreth asaj që po ndodhte në Kosovë, trokiti në derën e kongresistit të zonës, në Bronx, New York. Harry ishte vetëm 32 vjeç dhe, pas një suksesi të rëndësishëm në biznesin e pasurive të paluajtshme me partnerin dhe dajën e tij Rrustem Gecaj, po përpiqej, si shumë shqiptarë të tjerë, të bëhej mbrojtës i çështjes së Kosovës në politikën amerikane. Ndonëse nuk kishte caktuar një takim, kongresisti e priti. Engel, i lindur dhe rritur në lagjet modeste të Bronx-it, i njihte shqiptarët, por dinte pak për Kosovën. Megjithatë, e dëgjoi me vëmendje vizitorin dhe premtoi se do të informohej më shumë. Harry premtoi se do t’i dërgonte informacione vazhdimisht. Edhe Eliot Engel, ashtu si Harry, ishte relativisht i ri. 42-vjeçar dhe i sapozgjedhur në Kongresin Amerikan, ai ende po mësonte rrugët e Uashingtonit dhe ndikimi i tij politik ishte minimal.
Në shumë aspekte, ai takim mund të dukej si humbje kohe, sidomos nëse merret parasysh se shqiptarët tashmë kishin miq të fuqishëm në kryeqytet, si Kryetari i Shumicës në Senatin Amerikan, Bob Dole, senatorët Al D’Amato dhe Larry Pressler, apo kongresistë të famshëm si Tom Lantos dhe figura me përvojë të gjerë si William S. Broomfield. Por nga ai takim nisi një miqësi e re, e cila vetëm u thellua dhe dha fryte për dekada me radhë. Engel shumë shpejt do të bëhej një nga kongresistët më të informuar dhe më vizionarë në Kongresin Amerikan. Ai jo vetëm që pati vizionin të themelonte Kaukusin e Çështjeve Shqiptare në Kongres, por mësoi edhe si të kapërcente ndarjen mes pushtetit legjislativ dhe atij ekzekutiv, duke u hapur dyer shqiptarëve në shumë institucione dhe agjenci federale qeveritare amerikane. Lidhjet e tij personale me Presidentët Bill Clinton dhe George W. Bush patën një rëndësi të madhe historike për Kosovën, Shqipërinë dhe shqiptarët në Ballkan. Asnjë ambasador apo kompani lobimi në Uashington nuk do të kishte arritur të bënte atë që ai realizoi ndër vite. Çdo delegacion shtetëror nga trojet shqiptare në Uashington është pritur, orientuar, këshilluar, ndihmuar dhe promovuar nga Zyra e Engelit në kryeqytetin amerikan, pa asnjë interes personal apo shpërblim. Në vitin 1991, Harry themeloi gazetën “Illyria”, e cila për vite me radhë furnizoi intensivisht rrethet politike dhe diplomatike në Uashington me informacione rreth fushatës për Kosovën dhe shqiptarët. Në vitin 1996 u themelua Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan.
Së bashku me zyrën e kongresistit Engel, të tria këto institucione koordinuan veprimet e tyre në shërbim të kauzës kombëtare shqiptare në Uashington. Historinë e tij të gjatë të bashkëpunimit me shqiptarët e kam përshkruar në një libër kushtuar jetës së tij. Ai bëri shumë miq personalë në këtë komunitet, nga vëllezërit Bytyçi te Vehbi Bajrami (botuesi i gazetës “Illyria” që nga viti 2006), si dhe me shumë të tjerë, duke ndërtuar lidhje që tejkalonin politikën dhe ishin familjare e shoqërore. Engel ishte një mik që kishte humor, humanizëm dhe mirëkuptim. Kur u bë Kryetar i Komitetit të Punëve të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve, Engel u kthye në një nga figurat më të fuqishme të politikës së jashtme amerikane, pikërisht në një periudhë kyçe kur interesi dhe vëmendja amerikane po shmangeshin nga Ballkani dhe nga pozitat tradicionale me të cilat ishin mësuar shqiptarët. Edhe njëherë u gjend për ne në kohën e duhur, në vendin e duhur. Një mësim i rëndësishëm i kësaj historie është vlera e fillimeve modeste të advokimit në shërbim të një çështjeje. Është e arsyeshme të përpiqesh të lidhesh me figurat dominuese të politikës.
Janë ata që mund të sjellin ndryshime të mëdha. Por nuk duhen harruar ata që sapo kanë nisur rrugën e tyre: udhëheqësit e ardhshëm të brezave të rinj. Pothuajse 37 vjet më parë, Harry Bajraktari nuk bëri kalkulime strategjike kur trokiti në derën e kongresistit të sapozgjedhur. Por ai veprim i sinqertë, pa paragjykime për moshën dhe emrin e kongresistit të ri, hodhi themelet e një bashkëpunimi nga më frytdhënësit në historinë e komunitetit shqiptaro-amerikan. Njihuni me njerëzit që ju përfaqësojnë në nivelet lokale, njihni politikanët e rinj, ata që ende mund të duken të parëndësishëm e të panjohur. Shpesh, ndikimet dhe përvojat e hershme në jetë mbeten të pashlyeshme. Aq më mirë nëse i përkisni të njëjtit brez apo jeni afër në moshë. Është një mundësi për të dyja palët për të mësuar dhe edukuar njëra-tjetrën. Sidomos kur e di që po punon për një kauzë të drejtë dhe me zemër të pastër, advokimi nuk është thjesht punë, por një mënyrë për të mbushur jetën dhe shpirtin.
