Duke u bazuar në paralajmërimin e Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës (IHMK) për erëra të forta gjatë ditës së nesërme, Inspektorati Qendror i Punës u bën thirrje të gjithë punëdhënësve që të ndërmarrin masa të shtuara për mbrojtjen e sigurisë dhe shëndetit të punëtorëve në vendet e punës.

Vëmendje e veçantë kërkohet në sektorin e ndërtimtarisë dhe në të gjitha veprimtaritë që zhvillohen në ambiente të hapura, veçanërisht gjatë punëve në lartësi, në skela, kulme dhe hapësira të ekspozuara ndaj ndikimit të erërave.

Inspektorati Qendror i Punës u bën thirrje punëdhënësve që të veprojnë me përgjegjësi dhe të mos lejojnë zhvillimin e aktiviteteve të punës kur kushtet atmosferike paraqesin rrezik për punëtorët.

“Siguria dhe shëndeti i punëtorëve duhet të mbeten prioritet në çdo rrethanë”, thuhet në njoftim.